Aktualitet “Më shpallën fajtor pa nisur gjykimi”, SPAK reagon pas deklaratës së Veliajt

“Më shpallën fajtor pa nisur gjykimi”, SPAK reagon pas deklaratës së Veliajt

SPAK ka reaguar në lidhje me deklaratën e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili thoshte se e kanë shpallur fajtor ende pa nisur gjykimi, duke shtuar se në faqen e parë të dosjes hetimore prokurori kishte shënuar se ai ishte i dënuar, por që më pas gjatë seancës gjyqësore të së të mërkurës, prokurori Ols Dado ka pohuar se ishte një lapsus.

Prokuroria e Posaçme ka sqaruar se në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë drejtuar GJKKO-së për Veliajn, SPAK në asnjë moment nuk i është referuar gjendjes së tij gjyqësore.

“Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore me nr. prot. 5488 datë 23.01.2025, e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”.

Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar.

Me shkresën nr. 2215/1 datë 12.02.2025, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie.

Në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim E.V, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”, thotë SPAK.