Politika Medalje për djalin e ndjerë, presidenti Biden falenderon popullin e Kosovës

Medalje për djalin e ndjerë, presidenti Biden falenderon popullin e Kosovës

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden shprehet se familja e tij ndihet e nderuar pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u dhuroi një medalje për djalin e tij të ndjerë, Beau Biden, i cili ka shërbyer në Kosovë pas përfundimit të luftës.

Përmes një video-mesazhi kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se puna e Beau Biden në Kosovë ka qenë e përzemërt.

“Faleminderit, presidentja Osmani! Unë jam këtu në sallën kryesore të Shtëpisë së Bardhë dhe me fëmijët e Beau-t. Ne vetëm duam të themi se kjo është e pabesueshme dhe dua të falënderoj Republikën e Kosovës për këtë medalje. Është një nder i madh për neve që ju kujtoni djalin tonë. Puna e Beau-t në Kosovë ishte e çiltër, ai u dashurua me vendin tuaj. Kjo do të thotë kaq shumë për ne, për të gjithë familjen”, u shpreh Biden.

Biden nënvizoi se Kosova ende ka për të bërë shumë punë, duke premtuar njëherësh se SHBA do të vazhdojë të mbetet partner i saj në të ardhmen.

“Duke pranuar këtë çmim në emër të djalit tonë, unë gjithashtu dua të kujtoj përparimin e jashtëzakonshëm që Kosova ka bërë gjatë 20 vjetëve të fundit. Ka akoma më shumë punë për të bërë, nuk kam nevojë t’ua them. Duhet më shumë punë për të luftuar korrupsionin, për të mbrojtur të drejtat e pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me kombet fqinje dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik. Dhe ju premtoj, që SHBA do të mbeten partneri i palëkundur i Kosovës në këtë luftë”, tha ai më tej.

Kjo është hera e dytë që Kosova nderon djalin e presidentit amerikan.

Më 2016, në vitin e fundit të Biden-it si zv.president amerikan, ai, së bashku me familjen e tij, kanë vizituar Kosovën, për të inauguruar rrugën Beau Biden.