Aktualitet Medalje “Trimërie” për dy oficerët e Antiterrorit, liruan fëmijët nga kampet në...

Medalje “Trimërie” për dy oficerët e Antiterrorit, liruan fëmijët nga kampet në Siri

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka dekoruar me medaljen e “Trimërisë” dy oficerët e Antiterrorit, Drejtorin Gledis Nano dhe oficerin Indrit Doda, për kontributin në shpëtimin e jetës së disa fëmijëve që u evakuuan nga kampet në Siri.

Në fjalën e tij, ministri i dorëhequr, Sandër Lleshaj, u shpreh se misioni për të rikthyer në Shqipëri fëmijët e tjera është duke vazhduar.

“Që nga nëntori i vitit të shkuar e deri në nëntor të këtij viti, vazhdoi përpjekja për të tërhequr nga kampi Al Hol edhe fëmijë të tjerë dhe kampe të tjera në Siri. Ju e dini që në nëntor të këtij viti u realizua edhe tërheqja e një grupi tjetër fëmijësh, ndërkohë që ende ky operacion vazhdon, me shpresën që të gjithë ata fëmijë, viktima të papërgjegjshmërisë së prindërve, familjarëve të tyre, të lidhur me rrjetet e terrorit ndërkombëtar, të mund të kthehen në shtëpi, të largohen nga ferri i kampeve të Sirisë; të mund të afrohen pranë familjeve të tyre, të afrohen tek jeta normale, sociale, familjare, të edukohen, të shkollohen dhe të mos rriten si fëmijë të terrorit, por si fëmijë të Shqipërisë”.

Më tej, Lleshaj u shpreh se çdo fëmijë i kthyer nga kampet e Sirisë në Shqipëri është një shqiptar më shumë dhe një terrorist më pak. “Ndaj në vlerësim të të gjithë kësaj përpjekjeje, këtij kontributi, kam vendosur edhe si akt të fundit në cilësinë e Ministrit të Brendshëm, të firmos dy urdhra për akordim medaljesh, për Drejtorin e Drejtorisë së Antiterrorit Gledis Nano dhe bashkëpunëtorin e tij, Indrit Doda, dy oficerë, të cilët, siç e keni parë edhe ndjekur të gjithë, kanë qëndruar pas këtij operacioni, kanë mbajtur barrë, kanë rrezikuar bashkë me Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, Marc I. Ghorayeb dhe me shumë bashkëpunëtorë të tjerë ndërkombëtarë; kanë punuar, kontribuar kanë rrezikuar realisht, në emër të shpëtimit të jetës së disa fëmijëve që janë evakuuar dhe të tjerëve që do të evakuohen, shpresojmë, sa më shpejt”.

Në muajin tetor, 5 persona, mes të cilëve 4 fëmijë u nxorën nga kampi në Siri dhe u rikthye në Shqipëri, ndërsa shumë të tjerë vijojnë të qëndrojnë në kampin e Al-Hawl.