Politika Media italiane nuk ndalet, jehonë ndihmës nga Shqipëria

Media italiane nuk ndalet, jehonë ndihmës nga Shqipëria

Kryeministri Edi Rama tha se ideja për të dërguar mjekët dhe infermierët shqiptarë në Itali, i erdhi bashkë me një shprehje të Nënë Terezës.

“Ideja më erdhi shumë natyrshëm, sepse duke parë çdo mbrëmje në 6 që në Itali numëroheshin të vdekurit, e duke ndjerë dhimbjen dhe vetminë, mendova që më mirë të dëgjojmë Nënë Terezën tonë që thotë ‘Në vend që të mallkojmë errësirën, të ndezim një qiri”.

Kryeministri thotë se është motivuar edhe nga idetë që vunë themelet e Europës për një hapësirë paqeje, sigurie dhe bashkëpunimi, që sipas tij janë harruar nga vendet anëtare, çka e tregon qartë mungesa e bashkëpunimit në këto raste.

“Duke e parë Italinë në këtë situatë, dhemb. Jemi para një armiku të përbashkët që sulmon botën. Është shtëpia jonë e përbashkët që digjet dhe nuk mund të rrimë mbyllur secili nëpër dhomat e veta, duke gënjyer veten se po u dogj njëra nuk digjet tjetra”.

Edhe drejtuesja e emisionit, Serena Bortone nuk është rezervuar në vlerësime gjatë intervistës.

“Edi Rama, një lider i botës më duket. I tha gjërat më drejtpërdrejtë dhe më me mençuri se askush tjetër”.

Falenderim publik dhe vlerësim përmes rrjeteve sociale për Kryeministrin Rama shprehu edhe ish-kreu i qeverisë italiane Silvio Berluskoni. Vëmendje i kushtuan edhe gazetat sportive “Gazzetta dello Sport” dhe “Tuttosport”.

Për këtë të fundit, që është edhe një e përditshme pranë Juventusit, Rama shprehet se gjesti i tij lidhet edhe me shpirtin e skuadrës, ku fitoret arrihen kur lojtarët bashkëpunojnë. Këtë, thotë se e ka mësuar nga sporti dhe personazhet e tij në nivel mentaliteti dhe strategjie.