Kryesore Mediat greke: Athina gaboi që i futi të gjitha problemet me Tiranën...

Mediat greke: Athina gaboi që i futi të gjitha problemet me Tiranën në një paketë të vetme

Mediat greke duket se i janë rikthyer marrëdhënieve Shqipëri-Greqi dhe negociatave mes vendeve që kanë mbetur pezull, duke u shprehur se Athina zyrtare gaboi taktikisht me Shqipërinë, duke i diskutuar në një paketë të gjitha çështjet.

Në një shkrim të Liberal.gr, thotë që “lëvizja e Athinës bëri që çështja e pronave të minoriteteve greke në Shqipëri të “njësohen me pronat shqiptare në Greqi (ato që janë nën sekuestro) dhe të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Greqi”.

Ndërsa Athina ka ofruar tashmë këmbime të prekshme për z. Rama si Vula Apostille (për njohjen e dokumenteve zyrtare dhe certifikatave shqiptare) dhe ja njohjen e lejeve shqiptare të drejtimit, e vetmja gjë që mori është një gërmim dhe kërkim të parë për eshtrat e ushtarëve grekë të rënë në frontin shqiptar, një proces ky që pas hetimeve fillestare, është decentralizuar. Duke bërë një gabim të madh taktik, Athina ra dakord që t’i ofrojë palës shqiptare për të negociuar të gjitha çështjet e ngritura nga të dy palët, në formën e një pakete, dhe kështu çështje të tilla si të drejtat dhe pronat e minoritetit kombëtar grek, njehsohen me pronat shqiptare në Greqi (ato që janë nën sekuestro) dhe të drejtat e… emigrantëve shqiptarë në Greqi”, thuhet në këtë shkrim.

Duke vënë theksin tek të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri, media greke përmend dhe rastin e Fredi Bejlerit,  i cili nuk u lejua nga KQZ të kandidojë për Himarën.

“Nuk është rastësi që Ministria e Jashtme shqiptare, në deklaratën e saj ku i përgjigjej Ministrisë së Jashtme greke që dënoi përpjekjet për përjashtimin nga zgjedhjet lokale të Himarës, Fredi Bejlerin, nxitoi për të njehsuar minoritetin kombëtar grek me emigrantët shqiptarë në Greqi”, thuhet në shkrimin e liberal.gr.

Media greke citon dhe një intervistë të ish ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhënë për albaniadailynevvs.com, ku ish shefi i diplomacisë shqiptare thotë se nuk është zgjidhur ende çështja e gjendjes së luftës dhe ajo e kufijve detarë dhe mendon se mund të ketë një zgjidhje së shpejti, por tani për tani pengesë mbeten zgjedhjet në Greqi.

Ndërkohë sipas kësaj medie, taktika tjetër e gabuar e Athinës ishte edhe dakordësia për të futur në paketën e diskutimeve, marrëveshjen e delimitimit të zonave detare, e cila megjithëse ishte nënshkruar edhe nga Qeveria shqiptare, u anulua pas një apelimi të opozitës së atëhershme dhe z. Rama, në Gjykatën Kushtetuese.

Pala greke, në një tjetër koncesion ndaj palës shqiptare, kishte rënë dakord për të diskutuar këtë çështje, kur shqiptarët vendosnin si kusht pranimin si bazë për diskutim, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që sipas liberal.gr ishte përgatitur me nxitjen e Ankarasë dhe që miratonte të gjithë argumentet e Turqisë, që parashtrohen për Egjeun dhe Mesdheun Lindor.

Shkrimi përfundon me fjalët: “Kjo tablo sigurisht që është larg realitetit dhe vetëm sa komplikon përpjekjet e diplomacisë greke për të bindur rreth problemit të vërtetë që paraqitet në rajon nga qeveria Rama dhe nacionalizmi shqiptar që manifestohet edhe kundër Greqisë dhe veçanërisht kundër minoritetit kombëtar grek”.