Bota Medvedev paralajmëron për “apokalips” bërthamor

Medvedev paralajmëron për “apokalips” bërthamor

Ndërsa Kremlini reagon i përmbajtur ndaj planit kinez për paqe, ish-presidenti rus Dimitri Medvedev paralajmëron për një apokalips bërthamor.

Sipas ish-presidentit rus Dimitri Medvedev, furnizimi i vazhdueshëm me armë i Ukrainës mbart rrezikun e një katastrofe bërthamore botërore. Natyrisht që “dërgimi i armëve” mund të vazhdojë dhe “të parandalojë çdo mundësi për rifillimin e negociatave”, tha nënkryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të përditshmen pro-qeveritare Izvestia.

“Armiqtë tanë po bëjnë pikërisht këtë dhe nuk duan ta kuptojnë se qëllimet e tyre me siguri do të rezultojnë në një fiasko totale. Një humbje për të gjithë. Një kolaps, një apokalips. Ku me shekuj njerëzit do të harrojnë jetën e tyre të dikurshme, derisa rrënojat dhe mbeturinat të pushojnë së rrezatuari”, tha Medvedevit.

Reagim i përmbajtur ndaj planit kinez për paqe

Edhe lidhur me planin kinez prej 12 pikash për t’i dhënë fund luftës, qeveria e Moskës nuk sheh aktualisht kushte për një zgjidhje “paqësore”. “Ne po e shqyrtojmë me vëmendje të madhe planin e miqve tanë kinezë,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. “Por për momentin ne nuk shohim parakushte që gjërat të shkojnë drejt paqes”, tha Peskov, duke shtuar se “operacioni special ushtarak” në Ukrainë po vazhdon.

Në përvjetorin e parë të fillimit të pushtimit rus Kina prezantoi një dokument në të cilin, ndër të tjera, bën thirrje për armëpushim dhe negociata. Diplomatët dhe ekspertët perëndimorë reaguan me skepticizëm dhe zhgënjim, pasi dokumenti me dymbëdhjetë pika nuk solli ndonjë ide të re. Përveç kësaj Kina konsiderohet një aleate e ngushtë e Rusisë dhe kurrë nuk e ka dënuar qartë pushtimin e Ukrainës.