Bota Mega-Thatësira në Kaliforni: Thirrje për reduktim me 15% të masës së përdorimit...

Mega-Thatësira në Kaliforni: Thirrje për reduktim me 15% të masës së përdorimit të ujit

Thatësira që ka goditur shtetin e Kalifornisë në SHBA ka detyruar guvernatorin Gavin Newsom të bëjë thirrje ndaj rezidentëve që të reduktojnë me 15% konsumin e ujit. Thirrja e tij erdhi ndërkohë që në këtë shtet është shpallur gjendja e jashtëzakonshme si pasojë e asaj që po quhet Mega-thatësirë.

“Kemi dy vjet në një thatësirë, pasi kaluam pesë vjet të tjera thatësire që përfundoi dy vjet më parë. Ne shpresojmë se njerëzit në shtetin e Kalifornisë do të kenë parasysh sjelljen e ndjekur në thatësirën e fundit  dhe të aplikojnë vullnetarisht reduktim të përdorimit të ujit me 15%, jo vetëm për rezidentët, por edhe për operacionet tregtare, industriale dhe bujqësore”, u shpreh Guvernatori.

Në këtë shtet ka disa vite thatësirë që ka çuar në reduktim të rezervave të ujit deri në 2/3-at e kapaciteteve normale. Viti aktual duket se shënon rekord edhe sa i përket temperaturave të larta me 53 gradë në Luginën e Vdekjes.