Kulturë Mehmet Akif Ersoy, poeti shqiptar i himnit turk, përkujtohet në 83-vjetorin e...

Mehmet Akif Ersoy, poeti shqiptar i himnit turk, përkujtohet në 83-vjetorin e vdekjes

Mehmet Akif Ersoy, me prejardhje shqiptare nga Shushica e Pejës, është një figurë e shquar në Turqi, një personalitet i dalluar në shumë fusha: besimtar, dijetar, akademik, poet, shkrimtar, politikan, pedagog dhe deputet. Ai njihet në Turqi si autor i Himnit Shtetëror dhe për këtë admirohet si një shenjtor… Ndërsa në Shqipëri njihet pak.

Historia e Himnit Turk

Në vitin 1921, me kërkesën e ushtarakëve, Ministria e Kulturës u dha gazetave të datës 7 nëntor një njoftim, ku bëhej e ditur se :”Shpallet konkurs për Marshin e Pavarësisë dhe se për fituesin e tekstit dhe melodisë do të jepej nga një shpërblim prej 500 lirash”. Në qendrën e konkursit u paraqitën mbi shtatëqind tekste, por, me gjithë këtë, komisioni vlerësues nuk pranoi asnjë poezi, sepse asnjë prej tyre nuk plotësonte  kriteret e kërkuara, që të zgjonte ndikimet e dëshiruara. Atëherë, Hamidullah Suphiu, që ishte ministër i Kulturës, me gjithë komisionin vlerësues, iu drejtuan Mehmet Akifit, që të shkruajë poezinë. Mehmed Akif Ersoy, iu përgjigj ministrit se poezinë do ta bënte, por se ai nuk shkruante për para. Kur ministri me bashkëpunëtorët i premtuan se “nuk do t’i jepnin shpërblimin edhe nëse do të fitonte, ai me këtë kusht, shkroi tekstin.

Marshi i Pavarësisë (Istiklal Marshi), i shkruar nga Mehmet Akifi, u lexua në Kuvendin e Madh të Kombit (Parlamenti Turk) më 1 mars 1921, dhe po më 21 mars 1921 u pranua dhe u votua zyrtarisht. Kur zyra e llogarisë e Kuvendit të Madh e ftoi të merrte shpërblimin, Mehmet Akifi i mori pesëqind lirat, por menjëherë ua shpërndau fukarenjve e jetimëve përmes Institucionit Bamirës “Daru’l Mesai”.