Bota Melania Trump flet për pandeminë dhe protestat: Donaldi nuk flet vetëm fjalë....

Melania Trump flet për pandeminë dhe protestat: Donaldi nuk flet vetëm fjalë. Ai kërkon veprim

Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, Melania Trump shprehu ngushëllimet të martën për viktimat e pandemisë së koronavirusit, në një kontrast të dukshëm nga bashkëshorti i saj, Presidenti Donald Trump, që shpesh i minimizon pasojat e sëmundjes duke thënë se ajo do të zhduket vetvetiu.

“Që nga marsi, jetët tona kanë ndryshuar në mënyrë drastike. U dërgoj ngushëllimet më të thella të gjithë atyre që kanë humbur njerëzit e dashur. Lutem për ata që janë të sëmurë ose po vuajnë”, tha Zonja e Parë në fjalimin kryesor të natës së dytë të Kuvendit Kombëtar të Republikanëve nga Kopshti i Trëndafilave i Shtëpisë së Bardhë.

“E di që shumë njerëz janë në ankth dhe disa ndjehen të pafuqishëm. Dua që ta dini se nuk jeni të vetëm”, tha ajo.

Toni i fjalimit shënonte një kontrast të dukshëm nga retorika politike që karakterizoi pjesën më të madhe të dy netëve të para të Kuvendit, ndërsa përkrahësit e zotit Trump sulmuan ashpër rivalin e tij demokrat, Joe Biden dhe vlerësuan mënyrën se si presidenti e ka menaxhuar pandeminë dhe efektin shkatërrues që ka pasur tek ekonomia.

Duke treguar historinë e saj si emigrante që erdhi nga Sllovenia si modele në moshën 26-vjeçare dhe më pas mori shtetësinë amerikane, Melania Trump mund të ketë krijuar një lidhje me shumë njerëz të pakënaqur nga politikat e të shoqit që kanë në shënjestër imigrantët pa dokumenta.

Zonja e Parë shprehu mirënjohjen ndaj punonjësve të shëndetësisë që kanë trajtuar miliona njerëz me COVID-19.

“Ju vini vendin të parin dhe unë dhe bashkëshorti im ju jemi mirënjohës”, tha ajo.

“Është frymëzuese të shohësh se çfarë bëjnë njerëzit në vendin tonë të mrekullueshëm për njëri-tjetrin”, tha ajo në Kuvendin që e emëroi presidentin Trump për një mandat të dytë.

Trazira racore

Melania Trump diskutoi gjithashtu edhe për trazirat sociale në Shtetet e Bashkuara, që u ndezën pas vdekjes së afrikano-amerikanit George Floyd më 25 maj, në duart e policisë.

Republikanët e kanë dënuar vdekjen e tij, por gjatë kuvendit i rezervuan sulmet kryesisht për demokratët, për të cilët thanë se nuk duan t’i japin fund dhunës së shkaktuar gjatë demonstratave kundër padrejtësisë racore.

“Ashtu si të gjithë ju, edhe unë kam reflektuar për trazirat sociale në vend. Është një realitet i ashpër për të cilin ne nuk jemi krenarë. I inkurajoj njerëzit të fokusohen tek e ardhmja, ndërsa vazhdojmë të mësojmë nga e kaluara”, tha ajo.

“Megjithatë do të doja t’u bëja thirrje njerëzve të këtij vendi të ndalojnë për një moment dhe t’i shikojnë gjërat nga të gjitha këndvështrimet. I nxis njerëzit të mblidhen në një mënyrë civile, në mënyrë që të punojmë dhe t’i respektojmë standardet e idealeve tona amerikane”, tha ajo.

“U bë gjithashtu thirrje njerëzve të ndalin dhunën dhe plaçkitjen, që po bëhen në emër të drejtësisë dhe të mos nxjerrin përfundime nga ngjyra e lëkurës. Në vend që të shkatërrojmë, le të reflektojmë për gabimet tona”, tha Zonja e Parë.

Një këshilltare e zonjës Trump, shefja e personelit Stephanie Grisham, tha para fjalimit se “çdo fjalë e fjalimit të saj” ishte e Zonjës së Parë.

Melania Trump bëri thirrje për rizgjedhjen e të shoqit duke thënë: “Ai nuk flet vetëm fjalë. Ai kërkon veprim”.

Thyerje e traditës

Zonja e Parë foli pas një mbështetjeje të pazakontë për rizgjedhjen e zotit Trump nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, që foli nga Jeruzalemi, ku ishte në një mision diplomatik në Izrael dhe Lindjen e Mesme.

Zakonisht kryediplomatët amerikanë nuk kanë luajtur rol në zgjedhje dhe shihen si figura që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara pa anësi politike në marrëdhëniet me jashtë.

Një numër demokratësh e sulmuan zotin Pompeo që prishi traditën e mosndërhyrjes në fushatë. Kongresmeni Joaquin Castro, kreu i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Mbikqyrje dhe Hetime tha se do të ndërmerrte një “hetim të plotë” për fjalimin e zotit Pompeo.

Sekretari i Shtetit, përmendi arritjet e politikës së jashtme të zotit Trump, duke thënë se “ky president ka udhëhequr nisma të guximshme në pothuajse çdo cep të botës”.

Kreu i Departamentit të Shtetit tha se zoti Trump kishte “ulur tensionet” me Korenë e Veriut megjithëse zoti Trump nuk e ka detyruar Phenianin të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

Ai vlerësoi zotin Trump për marrëveshjen e fundit mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Natën e dytë të Kuvendit, folën edhe dy fëmijët e udhëheqësit amerikan, Eric Trump, një drejtues i Organizatës Trump dhe Tiffany Trump, që sapo është diplomuar për drejtësi. Ata thanë se babai i tyre e meriton edhe një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë.

“Babai im ndërtoi një ekonomi të zhvilluar një here dhe do ta bëjë përsëri. Babai im nuk u shmanget sfidave. Ai ka ëndrra të mëdha për vendin”, tha Tiffany Trump.

“Çdo ditë im atë lufton për popullin amerikan. Jam krenar për atë që po bën për vendin tone”, tha Eric Trump.

Folës të tjerë

Senatori Rand Paul nga Kentaki dhe guvernatorja e Ajovas, Kim Reynolds, zyrtarë shtetesh dhe anëtarë të partisë republikane, folën gjithashtu në mbështetje të zotit Trump.

Por një folëse, Mary Ann Mendoza, nëna e një oficeri policie, që u vra nga një imigrant pa dokumenta që po ngiste një kamion i dehur, u hoq nga lista e folësve, pasi inkurajoi ndjekësit e saj në Twitter, që të lexonin një teori konspiracioni të një pasuesi të grupit QAnon, sipas së cilës ka një komplot nga hebrenjtë për të kontrolluar botën. Ajo e hoqi postimin në Twitter dhe kërkoi falje.

Në fillim të mbrëmjes, zoti Trump fali një grabitës bankash, i cili që nga burgimi ka punuar për të ndihmuar të burgosurit të integrohen në jetën pas dënimit. Presidenti mori gjithashtu pjesë në një ceremoni shtetësie për pesë imigrantë.

Për zotin Trump, katër ditët e kuvendit janë thelbësore, një shans përmes pushtimit të ekraneve televizive që të bindë një numër të mjaftueshëm votuesish amerikanë se ai e meriton një mandat të dytë katërvjeçar.

Atij i mbeten 10 javë për të bindur votuesit para zgjedhjeve të 3 nëntorit, por anketat tregojnë se zoti Biden kryeson me një epërsi mesatarisht prej 7.6 për qind, sipas një analize anketash nga faqja “Real Clear Politics”. Megjithatë epërsia e zotit Biden është më e vogël në disa shtete të pavendosura, që edhe këtë radhë mund të jenë vendimare për rezultatin e zgjedhjeve.

Në katër dekadat e fundit vetëm dy presidentë amerikanë nuk kanë arritur të zgjidhen për një mandat të dytë, Jimmy Carter në vitin 1980 dhe George H.W. Bush në vitin 1992.