Sport Mema, sërish në sulm: Disa ekipe fitojnë shumë lehtë!

Mema, sërish në sulm: Disa ekipe fitojnë shumë lehtë!

Tirana kthehet në fushë pas pushimit në mesjavë dhe në Durrës luan një ndeshje me rrezikshmëri të lartë, sepse renditja është bërë alarmante.

Trajneri Ardian Mema ka folur për mediat dhe është ndalur te momenti i keq i bardhebluve, renditja dhe rivali i radhës, ndërsa ka evituar polemikat, duke refuzuar të komentojë batutën e tij javën e shkuar “Le të luajë futboll provinca!”.

Teuta – “Çdo ndeshje ka rëndësi të madhe, skuadra e di që fitorja na ngjit shumë lart. Është një moment ku duhet shumë kujdes, nuk duhet të bëjmë gabimet e ndeshjeve të fundit, si ndaj Laçit dhe në Vlorë. Shanset për të fituar i kemi pasur, kjo më vjen keq.

Renditja – “Ishim 9 pikë para Kastriotit, por në këtë kampionat gjërat ndryshojnë shpejt në renditje. Shihni Flamurtarin, edhe ata kishin frikën e renditjes para nesh, tani janë të tretët. Gjithsesi, ekipi nuk duhet të vihet nën presion, edhe pse gjërat duhen thënë siç janë dhe renditja është e ndërlikuar. Teuta është ekip cilësor dhe barazimi do ishte pozitiv për këtë moment.

Besimi tek ekipi – “Përveç ndeshjen e kupës në Laç, ndeshjet tona kanë qenë të mira. Në Vlorë na mungoi goli, por luajtëm mirë. U zhgënjyem shumë nga ajo ndeshje, e kemi diskutuar faktin që humbasim shumë raste, nuk mundet të gabojmë aq shumë para porte.

Kundërshtarët – “Në disa ndeshje kundërshtarët i kanë fituar më lehtë sesa ne, edhe në ndeshje shumë të forta në letër. Është e çuditshme po të shohësh disa ndeshje, golat shënohen në mënyrë të çuditshme, por nuk dua që t’i jap alibi skuadrës. Në duhet të sillemi shumë mirë në fushë, të bëjmë detyrën vetë, pastaj të shohim ndeshjet e tjera.

Penalltitë e humbura – “Penalltia është edhe fat, edhe problem psikologjik. Ne i kemi vendosur goditësit e penalltive, por natyrisht kemi bërë gabime. Imami deshi ta gjuante atë penallti në Vlorë, ndihej i sigurt, por nuk ia doli, si të tjerë para tij. Edhe unë pas penalltisë dytë të humbur në karrierë vendosa të mos gjuaj më.

Barazimi, do firmoste Mema? “Unë synoj gjithnjë fitore, si karakter. Fitorja më është injektuar në gjak. Humbja ndaj Teutës në Shijak? E kujtoj shpesh, edhe ma kujtojnë. Ishim në një moment që mund ta fitonim, humbëm shumë raste për gol dhe i mbaj ende mend, humbje e dhimbshme ishte.