Sport Memphis Depay ka një kusht për të firmosur me Barcelonën

Memphis Depay ka një kusht për të firmosur me Barcelonën

Edhe pse sezoni ende nuk ka mbaruar, Barcelona tashmë është duke punuar për edicionin e ardhshëm. Klubi “blaugrana” po pret të përfundojë auditimi dhe të dijë saktësisht se sa para do të ketë në dispozicion për transferime. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar nëse do të jetë në gjendje të bëjë ofertë për Haalandin dhe për të paguar pagën e Messit. Bisedimet, ndërkohë vijojnë edhe për objektiva të tjerë.

Njëri prej tyre është Memphis Depay. Barcelona ka një marrëveshje me holandezin pas kontakteve që ata kanë pasur. Futbollisti është kërkuar nga trajneri Ronald Koeman edhe në merkaton e janarit. Atëherë nuk ishte i mundur trasferimi i tij, sepse në atë kohë duhej paguar një tarifë për kartonin që zotërohej nga Lyoni. Barcelona duhej të ulte pagat dhe nuk ishte në gjendje të shiste ndonjë lojtar të rëndësishëm.

Tani situata është ndryshe, drejtuesve të Barçës thjesht u duhet të negociojnë me futbollistin, i cili ka ofruar shumë lehtësira në këtë drejtim. Depay dëshiron të jetë nën komandën e Koemanit, me të cilin ka punuar në përfaqësuesen e Holandës. Për këtë arsye, ai ka vendosur të ulë në mënyrë të konsiderueshme pagën e tij për të qenë te Barcelona sezonin e ardhshëm. Një shifër që është pranuar nga klubi.

Problem tani mbetet vazhdimësia e trajnerit. Nëse Koeman qëndron te Barça, Depay do të jetë sezonin e ardhshëm në “Camp Nou”. Sidoqoftë, nëse në fund Laporta vendos të ndryshojë njeriun e stolin, situata do të pësojë një kthesë radikale dhe do të jetë e nevojshme që palët të ulen sërish në bisedime.