Bota Menaxhimi i Covid-19 rrit popullaritetin e Mitsotakis, por tani Greqia përballet me...

Menaxhimi i Covid-19 rrit popullaritetin e Mitsotakis, por tani Greqia përballet me sfidën e recesionit

Menaxhimi pozitiv i COVID-19 në Greqi ka riforcuar popullaritetin e kryeministrit konservator, Kyriakos Mitsotakis, i cili shënoi sot një vit në pushtet.

”Por, sfida tashmë është përballja e vendit me recesionin”, sipas analistëve.

“Kyriakos Mitsotakis ka kultivuar për një kohë të gjatë profilin e teknokratit serioz dhe të drejtuesit të devotshëm të partisë së tij ‘Demokracia e Re’, një imazh i riforcuar pas ardhjes në pushtet dhe gjatë pandemisë”, konfirmon Nikos Marantzidis, profesor i studimeve ballkanike në Universitetin e Selanikut.

Kjo parti kryeson me më shumë se 15% ndaj partisë së majtë në opozitë SYRIZA, të Aleksis Tsipras, ish-kryeministër në vitet 2015-19.

Pjesa më e madhe e të pyeturve (67%) miratojnë politikën e Kyriakos Mitsotakis, 52 vjeç, sipas një sondazhi të realizuar nga shoqëria Marc, publikuar në të përjavshmen “Proto Thema”.

“Është e rrallë përmbushja e kaq shumë gjërave në një periudhë kaq të shkurtër. Besoj se shumica e shoqërisë greke është dakord”, theksoi së fundi gjatë një takimi qeveritar, Kyriakos Mitsotakis.

Qeveria gjithashtu krenohet që ndaloi mijëra migrantë që kishin tentuar në mars të kalonin kufirin greko-turk, të inkurajuar nga Turqia.

Sidoqoftë, shumë OJQ akuzojnë autoritetet greke për kthimin e tyre mbrapa ose për keqtrajtim të azilkërkuesve.

Bashkimi Europian kohët e fundit i bëri thirrje Greqisë të hetojë këto incidente.

Sidoqoftë, çështja e migracionit nuk ka ndikuar në popullaritetin e qeverisë, e cila ka qenë në gjendje të ulë taksat pas viteve të masave shtrënguese gjatë krizës financiare 2010-18.

Recesion dhe papunësi

Për Nikos Marantzidis, qeveria po përfiton akoma nga faza e “muajit të mjaltit”.

“Është ende herët për të nxjerrë përfundime. Nëse recesioni arrin në 10% të PBB-së dhe një valë e dytë e epidemisë godet vendin, gjërat do të kthehen në pozicion negativ”, theksoi ai.

Manolis Alexakis, politolog në Universitetin e Kretës nënvizon se ekonomia greke, që ende po rimëkëmbet, nuk do të mund t’i rezistojë një kufizimi tjetër.

Pranë Italisë dhe me një sistem të dobët spitalor, Greqia vendosi më 23 mars një kufizim strikt para rihapjes graduale të ekonomisë në fillim të majit.

“Nëse qeveria nuk ka një plan të veçantë për të menaxhuar recesionin, ndikimi i të cilit në vjeshtë rrezikon të shkaktojë trazira sociale, zgjedhjet e parakohshme do të jenë opsioni i vetëm”, paralajmëron Manolis Alexakis.

Kyriakos Mitsotakis ka akorduar 24 miliardë euro, nga fondet kombëtare dhe europiane, për të mbështetur ekonominë.

Por për opozitarin, Alexis Tsipras, këto fonde kanë të bëjnë kryesisht me bizneset dhe nuk mbështesin punonjësit, shumë prej të cilëve tashmë janë përballur me papunësi.

Në 16% aktualisht, shkalla e papunësisë mund të rritet për shkak të pasojave të krizës shëndetësore, veçanërisht në industrinë e turizmit, motori i ekonomisë.

Pothuajse tre javë pas hapjes së kufijve, gjysma e hoteleve janë mbyllur, sipas profesionistëve të sektorit.

“Nëse Mitsotakis nuk del nga flluska e tij e realitetit virtual, kam frikë se gjatë vjeshtës në ishuj të caktuar, do të flasim vetëm për supë popullore”, theksoi Alexis Tsipras javën e kaluar.

Ndërkohë që Greqia numëron vetëm 192 të vdekur për shkak të COVID-19, ardhja e turistëve ka rritur frikën për një valë të dytë të pandemisë.

Nikos Marantzidis parashikon se një kufizim i dytë do të ishte një skenar shkatërrues.