Bota “Mendova se do vdisja”, Fauci kujton momentet kur mori zarfin kërcënues

“Mendova se do vdisja”, Fauci kujton momentet kur mori zarfin kërcënues

Dr Anthony Fauci ka folur për kërcënimet me vdekje që ai dhe familja e tij kanë marrë gjatë muajve të parë të pandemisë.

Në një intervistë të publikuar për “New York Times”, Fauci tha se ai mendonte se do të vdiste kur u mbulua me një pluhur të bardhë pasi hapi një zarf që i kishte mbërritur.

“Duhej të ishte një nga tre gjërat: Një rreng. Ose antraksi, që do të thoshte se do të duhej të përdorja Cipro (një lloj ilaçi) për një muaj. Ose nëse ishte ricin, unë isha i vdekur, kështu që lamtumirë”, u shpreh Fauci.

Lidhur me ndërrimin e administratave, Dr Fauci tha se ishte “çliruese” që do të mbështetej nga një administratë miqësore me shkencën që nga inaugurimi i Joe Biden ndërsa nuk ngurroi të bënte kritika ndaj presidentit Trump.

Duke reflektuar në kohën e tij që ka punuar me administratën e Trump, Fauci tha se ish-presidenti do të dëgjonte më shumë miqtë e tij të biznesit se sa shkencën dhe ekspertët.

“Ai do ta merrte po aq seriozisht mendimin e tyre – bazuar në asnjë të dhënë, vetëm në anekdotën- se diçka mund të ishte me të vërtetë e rëndësishme.

Nuk ishte vetëm hidroksiklorokina, por për një larmi qasjesh të tipit të ilaçeve alternative. Thoshte gjithmonë: ‘Një djalë më thirri, një mik i imi nga bla, bla, bla’. Ky është momenti kur ankthi im filloi të përshkallëzohej.

Kishte disa raste kur unë do të bëja një deklaratë që kishte një pikëpamje pesimiste për drejtimin që po shkonim dhe presidenti më thërriste dhe më thoshte: ‘Hej, pse nuk je më pozitiv? Ju keni për të marrë një qëndrim pozitiv. Pse jeni kaq negativë? Jini më pozitivë’”, tha Fauci.

Më shumë se 25 milionë amerikanë janë infektuar deri më tani nga koronavirusi dhe të paktën 417 mijë kanë vdekur që nga marsi i vitit 2020, kur filloi pandemia.