Bota Merkel: Dezinformimi rreth pandemisë, populizëm i papërgjegjshëm

Merkel: Dezinformimi rreth pandemisë, populizëm i papërgjegjshëm

Kancelarja gjermane, Angela Merkel paralajmëroi sot kundër gënjeshtrave dhe dezinformimit që qarkullon rreth pandemisë së koronavirusit, duke e cilësuar si populizëm të papërgjegjshëm, ndërkohë që manifestimet kundër mbajtjes së maskës janë shtuar në Gjermani.

“Gënjeshtrat dhe dezinformimi, komploti dhe urrejtja jo vetëm që ndryshojnë debatin demokratik, por edhe luftën kundër virusit”, theksoi kancelarja gjermane në një fjalim para deputetëve një ditë pas njoftimit të mbylljes, duke nisur nga e hëna, të restoranteve dhe vendeve të argëtimit për të frenuar valën e dytë të infektimit.

Deputetët e partisë së ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD), forca e tretë politike në Bundestag, kishin shprehur më parë zemërimin e tyre për masat e reja të shpallura një ditë më parë, duke thërritur me zë të lartë gjatë fjalimit të Angela Merkel.

Një gjë e rrallë në Bundestag, presidentit të saj Wolfgang Schäuble iu desh të ndërpresë shkurtimisht ndërhyrjen e kancelares për të rivendosur rendin dhe për të kërcënuar me marrjen e masave kundër deputetëve të irrituar.

“Ajo që është shkencërisht e rreme duhet të përcaktohet qartë si e tillë”, këmbënguli kancelarja, një shkencëtare me profesion, gjatë fjalimit të saj.

“Populizmi nuk është vetëm joreal, por edhe i papërgjegjshëm”, shtoi ajo, duke siguruar që masat e marra ishin të duhurat, të nevojshmet dhe proporcionalet.