Bota “Merkel duhet eliminuar”, manifesti i autorit të masakrës në Zelandën e Re

“Merkel duhet eliminuar”, manifesti i autorit të masakrës në Zelandën e Re

“Angela Merkel është e para në listë. Janë të paktë ata që kanë bërë më shumë dëme se ajo”. Kjo frazë lexohet ndër të tjera në manifestin e Brenton Tarrant, me titullin “Rivendosja e madhe”, i cili qarkullon ende në rrjetet sociale.

Tarant është 28-vjeçari nacionalist australian, përgjegjës i masakrave në xhamitë e Christchurch në Zelandën e Re. Si shkruhet në manifest, Tarrant dëshironte vdekjen e kancelares gjermane Merkel, presidentit turk Erdogan, dhe të kryebashkiakut të Londrës, muslimanit Sadik Khan. Objektivi i tij ishte çlirimi i Europës nga të gjithë pushtuesit: romë, afrikanë, indianë, turq, semitë.

Tarrant shkruan se personi që e ka frymëzuar më shumë është Kandas Ouens: një aktiviste dhe komentatore amerikane filo Trump. Dhe kreu i Shtëpisë së Bardhë citohet si simbol i identitetit të bardhë të rinovuar. Një nga sloganët e shkruar nga ai është: “Hiqini të gjithë pushtuesit, rimerrni Europën në dorë”.

Tarrant bën apel dhe për vrasjen e atyre që lobojnë kundër të bardhëve pasi konsiderohen si tradhtarë, dhe si të tillë duhen shkatërruar.

Në manifestin e publikuar në internet pak para masakrës, Tarrant përmend shumë nga tezat e Anders Behring Breivik, autorit të masakrës në Utoia në vitin 2011, një nacionalist, anti-BE dhe ksenofob.

Fija lidhëse e dy manifesteve është gjenocidi i të bardhëve që po ndodh aktualisht, sipas tyre. Si Tarrant dhe Breivik theksojnë se gratë e bardha duhet të kenë të paktën nga dy fëmijë, në rast të kundërt të bardhët do të zhduken. Në armët e tij, Tarrant shkruan ndër të tjera “Vienna 1683”. Një datë simbol: ajo e pushtimit të dështuar të otomanëve. Dhe Breivik e përdori si një datë simbol, duke parashikuar dëbimin e të gjithë emigrantëve nga Europa brenda vitit 2083, katër shekuj pas sulmit të dështuar të Vjenës.

Tarrant mes objektivave të tij rreshton dhe shkatërrimin e xhamive dhe minareve të Kostandinopojës sepse turqit sipas tij duhet të qëndrojnë në lindje të Bosforit. Tarrant e përshkruan veten si një australian me prindër me origjinë skoceze, irlandeze dhe angleze. Një jetë normale, por njësoj si Breivik, nuk ka ndjekur universitetin pasi do të shpërqendrohej nga misioni i tij. Në kohën e vrasjeve Breivik ishte 32 vjeç, por nisi të shkruante manifestin e tij politik në moshën 29-vjeçare. Ndërsa Tarrant është 28 vjeç.