Bota Merkel ka vizituar privatisht Navalnin në spital: Gjermania kërkon përgjigje nga Kremlini

Merkel ka vizituar privatisht Navalnin në spital: Gjermania kërkon përgjigje nga Kremlini

Kancelarja Angela Merkel e vizitoi personalitetin opozitar rus, Aleksej Navalni, kur atë po e mjekonnin për helmimin në një spital të Berlinit, tha të hënën zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert.

Seibert konfirmoi raportin e vetë Navalnit se “vizita personale” u zhvillua, por nuk pranoi të japë detaje të tjera.

Për vizitën raportoi së pari revista gjermane Der Spiegel. Në një postim për ta ndarë artikullin në Twitter, Navalnit e mohoi pretendimin e revistës se vizita ishte “sekrete”.

“Ishte një takim, por nuk duhet ta quash “sekret”,” shkroi 44-vjeçari. “Përkundrazi, ishte një takim privat dhe një bisedë me familjen. Unë i jam shumë mirënjohës kancelares Merkel që më vizitoi në spital.”

Navalny u lirua nga spitali Charite në kryeqytetin gjerman javën e kaluar pasi iu nënshtrua një muaji trajtim për helmim. Organizata joqeveritare gjermane, që organizoi evakuimin e tij nga Siberia në Berlin tha se ai është i vendosur të kthehet në Rusi.

Laboratorë në Gjermani, Francë dhe Suedi konfirmuan se kritikun e Kremlinit e helmuan me një lëndë kimike luftarake të grupit Noviçok.

Qeveria gjermane ka kërkuar një shpjegim nga Kremlini në lidhje me helmimin. Moska ka mohuar çdo përfshirje në incident dhe e ka akuzuar Berlinin për pengimin e hetimit për çështjen.