Bota Merkel ndryshon protokollin/ Pas dridhjeve qëndron e ulur në ceremoni

Merkel ndryshon protokollin/ Pas dridhjeve qëndron e ulur në ceremoni

Angela Merkel ka qëndruar e ulur ndërsa luheshin himnet kombëtare të enjten gjatë një ceremonie zyrtare, në dukje për të parandaluar përsëritjen e dridhjeve të pakontrollueshme përmes një ndryshimi të rrallë protokolli.

Pasi priti kryeministrin e ri të Danimarkës, Mette Frederiksen në hyrje të ndërtesës së qeverisë, Merkel duke buzëqeshur, iu drejtua një podiumi ku të dy liderët zunë vendet e tyre.

Lëvizja e pazakontë vjen një ditë pasi në një ceremoni të ngjashme, kancelarja Merkel u pa të dridhej në mënyrë të pavullnetshme, për të tretën herë në publik në më pak se një muaj, duke ngritur pikëpyetje të reja për shëndetin e saj. Merkel nisi të dridhej ndërsa luheshin himnet kombëtare në pritjen e kryeministrit finlandez, Antti Rinne.

Vetëm një orë më vonë, ajo doli në një konferencë për shtyp, sic ishte planifikuar dhe i tha gazetarëve se shëndeti i saj nuk ishte shqetësues. Ajo shpjegoi se ishte ende në një fazë trajtimi por edhe se kishte pasur përmirësim të dukshëm. “Më duhet të jetoj me këtë për pak kohë”, tha Merkel, që mbush 65 vjeç javën e ardhshme. “Ashtu sic ka ardhur, një ditë do të largohet gjithashtu, shtoi ajo.

Merkel, ka qenë liderja e ekonomisë më të madhe të Evropës prej 14 vitesh. Shpesh ajo është quajtur liderja me më shumë ndikim e BE dhe gruaja më e fuqishme në botë. Ajo ka thënë se do të largohet nga politika në fund të mandatit të saj, në 2021.