Bota Merkel ofron heqjen e vizave për Kosovën në këmbim të taksës ndaj...

Merkel ofron heqjen e vizave për Kosovën në këmbim të taksës ndaj Serbisë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka udhëtuar të mërkurën (sot) drejt Berlinit i ftuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel, ku duket se do t’i ofrohet një mundësi e artë për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës, por me një kusht: heqjen e taksës ndaj mallrave serbe..

Burime nga qeveria Haradianaj konfirmojnë se kancelaria Merkel e ka thirrur kryeministrin e Kosovës për t’i kërkuar edhe njëherë heqjen e taksës ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Por çfarë i premton në këmbim kancelarja gjermane Kosovës? Burimet thonë se Merkel është zotuar të çojë përpara procesin e liberalizimit, duke e bërë të mundur heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës muajt e ardhshëm.

“Kancelarja gjermane ka premtuar të na ndihmojë liberalizmin e vizave, por kërkon heqjen e taksës”, thotë zyrtari për Gazeta Si, duke mos dhënë detaje për qëndrimin që do të mbajë Haradinaj përballë kësaj kërkese.

Në takimin e fundit me Merkel, gjatë samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës u shpreh i palëkundur për mbajtjen në fuqi të taksës së vendosur në nëntor ndaj importeve serbe, pavarësisht presionit të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane.

Por a do të ndryshojë Haradinaj qëndrim të enjten dhe cilat janë sinjalet që vijnë nga Prishtina?

Gjatë vizitës në Berlin, Kryeministri Haradinaj do të ketë takime bilateral jo vetëm me kancelaren Angela Merkel, por edhe me Kryetarin e Bundestagut Wolfgang Schauble, si dhe me deputetët e Grupit Parlamentar për Evropën Juglindore, Johann Wadephul, Christian Schmidt, Nikolas Löbel, Manuel Sarrazin dhe Hans Peter Bartels. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, kjo vizitë pune do të ketë për qëllim thellimin e marrëdhënieve dhe besimit mes Kosovës dhe Gjermanisë. Megjithatë ky takim vjen ndërkohë që Prishtina po përgatitet për samitin e ardhshëm në Paris, i cili është përfolur gjerësisht si takimi që do të ringjallë dialogun Kosovë-Serbi.

Edhe pse nuk i është referuar hapur mundësisë për heqjen e taksës, Haradinaj deklaroi pak para nisjes së Berlin se Kosova është e interesuar dhe e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë, gjithmonë duke respektuar vlerat e përbashkëta euro-atlantike dhe duke ruajtur integritetin territorial.

Ai deklaroi se do të kërkojë mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Europian. Liberalizimi i vizave është kthyer përgjatë muajve të fundit në simbolin më të madh të zhgënjimit të Kosovës nga Bashkimi Europian. Të gjithë politikanët kosovarë, thuajse nga të gjitha krahët, kanë bërë të paktën një herë në karrierën e tyre politike premtimin për heqjen e vizave ndaj Kosovës. Por liberalizimi i shumëpritur për një shoqëri që mbijeton prej dekadash nga emigracioni dhe remitancat që vijnë nga Europa po mbahet prej muajsh peng nga BE-ja.

Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është tani në dorën e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës që pritet të votojnë pro apo kundër liberalizimit. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj nxehu edhe më shumë debatin për liberalizimin e vizave disa muaj më parë, duke u shprehur “se në Europë ka më shumë një albanofobi sesa po kërkohen kritere teknike për vizat”. Në një debat televiziv, ai u shpreh se 95 kriteret që Bashkimi Evropian i ka vendosur Kosovës ishin të padrejta, sepse për shtetet fqinje kishte shumë më pak se aq.

Megjithatë, Kosova duket se ka tanimë një “mundësi të artë” për të çuar përpara këtë proces, i cili mund të bëhet realitetet muajt e ardhshëm nëse Haradinaj premton të tërhiqet nga taksa.

Deri më tani kryeministri ka deklaruar se taksa ndaj importeve serbe do të hiqet vetëm kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, por një zhvillim i tillë duket më i largët se kurrë nëse marrim parasysh se tensionet mes Beogradit dhe Prishtinës janë rritur edhe më shumë pas aksionit policor në Veriun e Kosovës dhe komenteve raciste të kryeministres serbe.

Që nga nëntori Haradinaj është përballur me kërkesa të shumta, deri në paralajmërime, për heqjen e taksës ndaj importeve serbe, jo vetëm nga qeveria e Angela Merkel, por edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.