Bota Merkel tani e tutje vetëm kancelare në detyrë

Merkel tani e tutje vetëm kancelare në detyrë

Me falënderime dhe lëvdata, Presidenti gjerman Steinmeier, e liroi nga detyra qeverinë Merkel. Periudha e qeverisjes suaj ishte brujtëse për imazhin e Gjermanisë në botë, i tha presidenti kancelares.

Presidenti Federal Frank-Walter Steinmeier i shprehu kancelares gjermane Angela Merkel dhe qeverisë së saj respektin dhe falënderimet e tij për për punën e tyre në këto katër vite. Përfundoi një “periudhë kancelarore që mund të konsiderohet si ndër më të mëdhatë në historinë e kësaj republike”, tha Steinmeier në Berlin me rastin e lirimit të Merkelit dhe ministrave së saj. Më parë ai i kishte kërkuar kabinetit Merkel që të qëndronte në detyrë, me kompetenca ekzekutive, derisa të zgjidhej një qeveri e re. Mandati i tyre përfundoi me konstituimin e Bundestagut, gjatë paradites së të martës.

Pandemia e koronës dhe polarizimi si probleme

“Të thuash se legjislatura e mëparshme ishte ‘sfidë’ për qeverinë, kjo nuk i afrohet  të vërtetës mbi detyrat që duheshin kryer“, tha Steinmeier duke pasur parasysh sfidën e përballimit të pandemisë së koronavirusit. Në përgjithësi, demokracia kërkon “një ekuilibër të vazhdueshëm interesash”. Por ruajtja e ekuilibrit në këto kohë ishte veçanërisht e vështirë, tha Steinmeier.

Steinmeier e lëvdoi në mënyrë të veçantë edhe punën e Merkelit në 16 vitet e qeverisjes së saj.  Kancelaria juaj ishte “mbrujtëse për vendin tonë të ribashkuar dhe për imazhin e vendit tonë në botë” dhe ishte “mbrujtëse edhe për një brez të tërë të rejash dhe të rinjsh, për të cilët ju jeni shembull i  një forme të re, shumë unike të udhëheqjes”, theksoi Steinmeier.

Kriza të shumta

Ishte një kohë “që nuk vuante nga mungesa e krizave“, tha Steinmeier, duke iu referuar krizës financiare dhe ekonomike, krizës së euros, më pas krizës së refugjatëve dhe migracionit dhe në fund krizës së koronavirusit. Ai tha se qeverisja e kancelares kishte sjellë “respektin, vlerësimin dhe madje edhe simpatinë për vendin tonë”, në Evropë dhe në botë.

“Por, mbi të gjitha, ju fituat besimin e qytetarëve të vendit tonë”, theksoi presidenti federal. “Vendimet tuaja  përçonin siguri dhe përkushtim.” Steinmeier vlerësoi guximin e Merkelit, “në kohën kur refugjatët nga Siria kërkonin mbrojtje nga ne, për të marrë përgjegjësinë” dhe rolin e saj si “ndërmjetëse” në Bashkimin Evropian./DW