Aktualitet Merr fund dredhia e dy binjakëve shqiptarë: Njëri përfundon në burg

Merr fund dredhia e dy binjakëve shqiptarë: Njëri përfundon në burg

Edmond dhe Eduard Trushi janë dy binjakë omozigotë, identikë në gjithçka, përveç diçkaje, shenjave të gishtave. Shqiptarët që prej vitesh jetonin në Itali ishin bërë një çështje më vete pasi akuzohen për qindra vjedhje në banesa, por ia kanë hedhur paq policisë dhe drejtësisë e cila asnjëherë nuk kishte mundur të vërtetonte se cili prej tyre kishte kryer vjedhjen.

Për shkak të historisë së gjatë me drejtësinë mediat italiane i kishin pagëzuar me nofkën “Binjakët Lupen” të cilët nuk mund të zbuloheshin as për shkak të ADN-së e cila ishte e njëllojtë, ose të paktën kështu dukej.

Makina luksoze, orë të shtrenjta, varëse të trasha floriri, festa në lokale dhe shumë argëtim. Ishte kjo jeta që bënin “Vëllezërit Lupen”.

Në vitin 2014 në qytezën e Porcia, karabinierët vunë re një Mercedes A Classe të vjedhur në 2 tetor 2012 në Ferrara. Në këtë mënyrë nisi ndjekja e cila zgjati disa kilometra. Shqiptarët e braktisën makinën dhe i shpëtuan policisë. Shenjat e gishtave në makinë ishin të shumta, në timon, në marsh madje edhe në vendin e fikjes së cigareve.

Nga ADN-ja u identifikua Eduard Trushi, tashmë i njohur nga policia që kishte precedentë në të kaluarën. Eduardi u arrestua dhe u akuzua për vjedhje, por procesi përfundoi në vitin 2016 pasi u arrit në përfundimin se Eduard e Edmondi kanë të njëjtën ADN dhe nuk mund të arrihej në përfundimin se kush mund ta kishte bërë krimin.

Një tjetër proces u mbyll në janar të këtij viti. Bëhej fjalë për një ngjatje të vitit 2010 kur njëri nga binjakët Trushi hyri në një apartament në Nogarole Rocca për të kryer një vjedhje. Ai u zbulua nga i zoti i shtëpisë dhe duke u larguar humbi parukën ku u gjetën edhe gjurmë djerse nga e cila u nxor sërish ADN-ja. Edhe këtë herë mbrojtja e fitoi lirimin pasi prokuroria nuk mundi dot të vërtetonte se cili prej tyre e kishte kryer krimin.

Mediat italiane thonë se numri i grabitjeve të shqiptarëve i ka kaluar mbi 100 të kryera në Italinë qendrore dhe veriore. Or duket se karriera e tyre tashmë ka përfunduar. Pak ditë më parë gjykata e Pordenone vendosi dënimin kundër Eduardit.

34-vjeçari u dënua për 40 vjedhje në Mantova, Pordenone, Treviso dhe Venecia. Të gjitha datojnë në një periudhë nga 8 në 20 nëntorit 2017. Gjykata e dënoi shqiptarin me 6 vjet e 10 muaj burg të cilat u shtohen edhe 5 vjetëve të tjera që gjykata kishte dhënë më parë për të për 15 vjedhje të tjera.

Ai u zbulua nga një studim mjaft i thelluar i ekspertëve të kriminalistikës të cilët mundën të dallonin ADN-në e njërit nga tjetri. Nga hetimet u zbulua edhe skema e vjedhjeve. Edmondi dhe Eduardi komunikonin përmes telefonave celularë nga numra jo të BE të cilët i ndryshonin shpesh. Karabinierët arritën të kapnin të dy makina të vjedhura në vite.