Kryesore Mes “hallesh” që ka Shqipëria, anëtari i KLP ka një “hall” edhe...

Mes “hallesh” që ka Shqipëria, anëtari i KLP ka një “hall” edhe më të madh

Një shkresë e padëgjuar më parë, gati-gati e çuditshme është bërë publike në media ku protagonist është anëtari i KLP-së, Tartar Bazaj.

Ai i ka dërguar një letër kreut të KLP-së, Gent Ibrahimi, jo për shqetësime që lidhen plotësisht me detyrën e rëndësishme që kanë në këtë organ të ri të sistemit të drejtësisë, por për një motiv personal.

Bazaj në letër, i kërkon “llogari” Ibrahimit se përse atij nuk i ka shkuar në dorë asnjë kartoline urimi për Vitin e Ri, siç ka ndodhur me të gjithë anëtarët e tjerë të KLP-së.

Tartar Bazaj thotë se: “Nuk do ta besoja kurrë që një person i caktuar të bjerë në një nivel kaq të ulët, sa të mbante kartolinat e urimit”.

Anëtari i KLP ka dy pyetje me “rëndësi” për Gent Ibrahimin:

1/ Nëse në adresën time (të Bazajt) pranë KLP, ka ardhur ndonjë kartolinë Urimi për Vitin e Ri 2020 ose jo?

2/ Nëse po, kanë mbetur rastësisht pa u ndarë, apo cilat janë arsyet e mosdorëzimit të tyre tek personi im?

Interesant është tani reagimi që do të vijë nga kreu i KLP, Gent Ibrahimi ndonëse në pamje të parë duket se jo gjithçka shkon mirë brenda një institucioni që nuk ka shumë kohë që është ngritur.