Kryesore Mesazhi i Mbretëreshës Elizabeth për Krishtlindje: Nuk jeni vetëm

Mesazhi i Mbretëreshës Elizabeth për Krishtlindje: Nuk jeni vetëm

Mbretëresha Elizabeth II u përpoq sot, gjatë fjalimit të saj tradicional për Krishtlindje, të transmetonte shpresë, e pranishme dhe në netët më të errëta për britanikët, të goditur rëndë nga pandemia.

Duke shprehur keqardhjen e saj për faktin se shumë persona nuk mund të mblidheshin për festa me njerëzit e dashur, mbretëresha i siguroi ata që nuk janë vetëm, ndërsa shtoi se koronavirusi, pavarësisht vështirësive që solli, i ka bashkuar njerëzit dhe i ka bërë ata më të fortë.

“Nuk jeni vetëm. Në fakt është e jashtëzakonshme, sesi një vit, që na mbajti larg njëri tjetrit, përmes disa rrugëve na ka bashkuar më shumë”, u shpreh ajo, gjatë fjalimit.

Monarkja 94-vjeçare shtoi se familja mbretërore është mahnitur nga vullnetarët që kanë ndihmuar komunitetet e tyre duke i dhënë Mbretërisë së Bashkuar por dhe botës, shembuj të jashtëzakonshëm solidariteti.

“Ne vazhdojmë të frymëzohemi nga mirësia e të huajve dhe gjejmë ngushëllim për faktin se edhe në netët më të errëta ka shpresë”, theksoi ajo.

“Në Britaninë e Madhe dhe kudo në botë, popujt i janë përgjigjur në mënyrë të jashtëzakonshme sfidave të vitit dhe jam krenare dhe e emocionuar nga kjo shpresë e heshtur dhe e pathyeshme”, deklaroi ajo.

Për shkak të situatës së koronavirusit, Mbretëresha Elizabeth dhe Duka i Edinburgut, Princi Filip, po kalojnë festën e Krishtlindjeve në kështjellën Windsor, të veçuar nga familja e tyre.