Sport Mesfusha flop, Ronaldo dhe emergjenca në mbrojtje, problemet e Pirlos para Barcelonës

Mesfusha flop, Ronaldo dhe emergjenca në mbrojtje, problemet e Pirlos para Barcelonës

Te Juventusi nuk po duket dora e trajnerit Andrea Pirlo. Barazimi me Veronën ishte treti radhazi në kampionat, duke përjashtuar fitoren në tavolinë me Napolin. Ndoshta 1-1-shi me Veronën ishte edhe mungesë fati, por evidenton qartë limitet e një skuadre në kërkim të lojës dhe jetime më shumë se kurrë nga lideri i saj, njeriu që zgjidh situatat e komplikuara: Kristiano Ronaldo.

Mesfusha nuk bind

Probleme në pozicionimin në fushë, Ramsei dhe Arthur që nuk bindin, një Bernardeski në nivel shumë të dobët dhe një Dibala titullar, por ende jo në 100%. Duhej talenti i Kulusevskit, i lënë fillimisht në stol, për të larguar fantazmat. Tani është radha e Barcelonës së Mesit të mërkurën në Ligën e Kampionëve.

Emergjenca në mbrojtje

Juventusi është në emergjencë në mbrojtje, ku mbetet për t’u parë gjendja e Bonuçit.

Mbrojtësi bardhezi la fushën ndaj Veronës pa u mbyllur ndeshja për shkak të një problemi muskulor në kofshë dhe Juventusi i druhet një tërheqjeje.

Klubi bardhezi njoftoi sot kushtet fizike të Bonuçit: “Testet, të cilave iu nënshtrua sot, nuk zbuluan ndonjë dëmtim të muskujve në kofshë. Lajm i mirë. Megjithatë, gjendja e tij do të monitorohet dita-ditës”.

Nëse edhe ai mungon, përveç Kielinit dhe De Ligt që janë në infermieri, Pirlo ka vetëm Danilon dhe Demiralin në dispozicion.

Ronaldo

Pritja nuk përfundon këtu, sepse është edhe situata me Kristiano Ronaldon, për të cilin pritet përgjigja e tamponit të fundit. Për sulmin nuk mungojnë alternativat te Juventusi, por Kristiano Ronaldo është njeriu Champions.