Aktualitet Mesha e Pashkëve në Lezhë, Ipeshkvi: Njerëzit që sundojnë krijojnë probleme për...

Mesha e Pashkëve në Lezhë, Ipeshkvi: Njerëzit që sundojnë krijojnë probleme për të tjerët

Duke ndezur qirinjtë e lutjes, që simbolizojnë dritën e përjetshme, besimtarët e Krishterë të Lezhës, ashtu si në të gjithë botën kanë nisur mbrëmjen e së shtunës festimet e Pashkëve.

Mesha e vigjiljes së kësaj feste u kremtua në katedralen e “Shën Nikollit” nga Ipeshkvi i dioqezës së Lezhës Ottavio Vitale.

Qindra besimtarë ju bashkuan këtyre festimeve duke pritur ringjalljen e Jezu Krishtit. Në fjalën e tij ipeshkvi Vitale tha se korrupsioni në Shqipëri është një problem mjaft i madh, ndaj vendi ndodhet në këtë situatë.

Ottavio Vitale, Ipeshkv i Dioqezës së Lezhës: Problemi nuk është se nuk ka punë, por është se ata që sundojnë botën nuk ndihmojnë njerëzit, për të jetuar në mënyrë dinjitoze siç kanë bërë aposujt e Jezusit. Njerëzit që janë të fuqishëm krijojnë probleme për të tjerët.  Jezusi na ka mësuar lehtësi dhe kërkon lehtësi prej të gjithëve. 

Pas meshës besimtarët e Krishterë janë drejtuar në shtëpitë e tyre me dritën e jetës dhe mesazhin Krishti u ringjall. Kjo është festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave te tjera te krishtera, te cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikundër e tregon Beselidhja e Re.