Sport Messi: Barcelona është shtëpia ime, nuk më shkon mendja të largohem

Messi: Barcelona është shtëpia ime, nuk më shkon mendja të largohem

Në mes të skandalit që ka përfshirë klubin e Barcelonës, kapiteni dhe idhulli i tifozëve katalanas, Leo Messi, ka thyer heshtjen në një intervistë për “Mundo Deportivo”.

Argjentinasi foli për zbulimin që ka bërë “Cadena Ser”, që raportoi se Barcelona i kishte paguar 1 milionë euro shoqërisë I3 Ventures për të sulmuar lojtarë të ndryshëm dhe ish-trajnerë me anë të profileve false në rrjetet sociale.

“Mendoj se është e çuditshme një gjë e tillë, thanë madje se ka prova. Të presim për të kuptuar nëse e gjitha kjo është e vërtetë. Nuk mund të themi shumë, por mua më duket shumë e çuditshme”, deklaroi Messi.

Në lidhje me zërat se mund të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezoni, numri 10 theksoi: “Unë e dua Barcelonën, është shtëpia ime. Për sa kohë që klubi dhe njerëzit më duan, nuk do të ketë kurrë asnjë problem nga unë.

Ideja ime është të qëndroj dhe derisa klubi dhe tifozët të duan qëndrimin tim, nga ana ime nuk do të ketë probleme. Nëse ka projekt fitues, nëse tifozët janë të kënaqur me skuadrën, unë jam në rregull. Dua të fitoj sërish Champions dhe tituj të tjerë në Spanjë. Kam një klauzolë që mund të iki falas në fund të sezonit, por unë gjithmonë e kam pasur zgjedhjen për t’u larguar nëse do të kisha dëshirë. Nuk ka të bëjë me klauzolën. Ka pasur shumë klube të gatshme të paguajnë për mua, por unë nuk kam dashur të largohem atëherë dhe nuk dua as tani. E përsëris, nëse klubi më do, unë qëndroj”.

Kjo besnikëri ndaj fanellës blaugrana lidhet edhe me vitet që kalojnë (në qershor, do të mbushë 33 vjeç), por edhe paraqitjet prej një ylli absolut: “Akoma ndihem shumë mirë, më mirë se vitet e kaluara. Nuk po shënoj shumë, por në nivel fizik ndihem shumë mirë. Të luaj deri në 40 vjeç? Të presim e të shohim…”

Sidoqoftë, shumë menduan se debati verbal me Eric Abidal mund të çonte në një ndarje përfundimtare të tij me Barcelonën, pas vitesh të tëra. Kjo hipotezë është hedhur poshtë nga vetë Messi: “Unë u përgjigja, sepse u ndjeva i sulmuar. Lojtarët ishin në shënjestër. Shumë gjëra janë thënë për dhomën e zhveshjes, e cila largoka trajnerët, dhe se unë paskam fuqinë të marr vendime. Vendosja e lojtarëve si shkak i shkarkimit të një trajneri më tingëllon çmenduri. Klubi ka një drejtor dhe sekretariat teknik, ato i marrin vendimet”.