Sport “Messi nuk do të shkojë tek Interi. Nuk është si Maradona”

“Messi nuk do të shkojë tek Interi. Nuk është si Maradona”

Dilema se cili është më i fortë mes Diego Amrando Maradona-s dhe Lionel Messi-t mbetet gjithmonë një temë shumë nxehtë në botën e futbollit.

Jo vetëm nëse flitet për teknikë, por edhe për karakter. Dhe është pikërisht për këtë aspekt të dytë që Fernando Signorini, ish-përgatitësi atletik i Maradona-s, ka folur për Fanpage.it.

“Messi tek Inter-i? Në Argjentinë askush nuk mendon se Leo mund të largohet nga Barcelona, sepse është shtëpia e tij. Ai është një futbollist familjar dhe nuk ka shpirtin e aventurës si Diego”.

“Gjithashtu, nuk besoj se do të ishte një zgjedhje zgjuar për të që të shkonte tek Interi në këtë moment të karrierës. Nëse Barça do ta përmirësojë skuadrën, besoj se do të qëndrojë atje”, ka thënë Signorini.

Edhe nëse Leo do të shkonte në Serinë A, nuk do të ishte një lëvizje e ngjashme me atë të Diego-s.

“Nëse do të shkonte te Napoli ose Bari, apo një skuadër që ka fituar pak, atëherë po. Por nëse shkon tek Interi ose Juventusi, do të vazhdojë të fitojë siç ka bërë deri tani”.

“Napoli nuk kishte fituar asgjë para Diego-s. Maradona do të kishte fituar më shumë po të kishte shkuar tek Juventus, por nuk do të ishte bërë një legjendë”.