Sport Messi për Neymar: E doja rikthimin e tij, nuk e di nëse...

Messi për Neymar: E doja rikthimin e tij, nuk e di nëse klubi ka bërë pamundurën!

Ylli i Barcelonës Lionel Messi nuk fshihet dhe tregon të vërtetën rreth transferimit të Neymar te Barcelona në merkaton e kësaj vere që nuk u realizua dot me sukses. Në një intervistë për “Sport”, Messi e ka pranuar se dëshira e tij ishte të luante sërish në të njëjtën skuadër me brazilianin por kjo gjë nuk u bë e mundur nga presidenti i Barçës Josep Maria Bartomeu.

”E vërteta është se do pëlqente që të vinte Neymar. I kuptoj edhe njerëzit që kanë qenë kundër këtij transferimi sepse është normale për mënyrën sesi ndodhën gjërat, sesi ai u largua dhe sesi Neymar e la skuadrën para 2 vitesh. Megjithatë në nivelin sportiv Neymar është një nga më të mirët në botë dhe të në përbërje skuadra jonë do të kishte më shumë mundësi për të arritur rezultatet që të gjithë ne dëshirojmë. Por edhe në nivelin e sponsorëve dhe imazhit klubi do të kishte bërë një hap të madh përpara”, theksoi Leo Messi. Argjentinasi iu përgjigj edhe pyetjes së a ka bërë gjithçka Barcelona për të rikthyer sulmuesin brazilian në Camp Nou. “Sinqerisht nuk e di nëse Barcelona ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur, nuk kam patur shumë informacione rreth kësaj tratative merkatoje”, shtoi numri 10 i blaugranave.

La Liga-n apo Champions-in?

Nuk mund të mbetej jashtë vëmendjes edhe Liga e Kampionëve, rivalët e Barcelonës për trofeun, por jo vetëm… Për shembull, Messi, gjithashtu vlerësoi Juventusin: “Unë mendoj se të gjitha skuadrat më të rëndësishme janë forcuar në merkaton e verës. Atlético Madrid ka ndërtuar një ekip të shkëlqyer, ka bërë përforcime të mira. U duk se pësoi një revolucion të thellë, por në fund të fundit Simeone ka ndërtuar një ekip të shkëlqyer, me shumë ndryshime, por i ekuilibruar. Real Madrid ka blerë, gjithashtu, lojtarë shumë të mirë. Përtej asaj që thuhet, të bardhët janë të fortë si më parë, përveç kësaj kanë edhe Hazard. Juventusi ka bërë përforcime të shkëlqyera, si Manchester City”.

Më tej, Messi prononcohet se cilin kompeticion do të donte të fitonte të sezonin e ri, La Liga-n apo Champions-in. “Në fillim të sezonit, ne gjithmonë themi të njëjtën gjë: duam të fitojmë gjithçka. Unë thjesht shpresoj të rikuperohem sa më shpejt dhe të jem në formë, që ta ndihmoj Barcelonën në objektivat e saj. Sigurisht, do të doja të fitoja Ligën e Kampionëve, sepse ka kaluar shumë kohë që nga hera e fundit. Mendoj se duhet ta fitojmë përsëri këtë trofe si klub. Sidoqoftë, unë nuk nënshkruaj fare për një kompeticion të veçantë në fillim të sezonit. Luftojmë për gjithçka, si përherë, pastaj realiteti mund të jetë tjetër”.