Politika Meta: BE të zgjerohet drejt Ballkanit, presim çeljen e negociatave në qershor

Meta: BE të zgjerohet drejt Ballkanit, presim çeljen e negociatave në qershor

Presidenti i vendit Ilir Meta apeloi Brukselin për ta konsideruar me peshën e merituar vendimin për kalendarin e ri të zgjerimit të BE drejt rajonit tonë.

Në pritjen me diplomatët në kuadër të vitit të Skënderbeut, Meta tha se Shqipëria ka pritshmëri legjitime që në 6 muajt e ardhshëm të çelë negociatat e anëtarësimit në BE.

“Shqipëria ndodhet në një moment kyç të rrugëtimit të saj europian. Ne kemi pritshmëri legjitime që në 6 muajt e ardhshëm të çelim negociatat e anëtarësimit në BE. Është me rëndësi jetike për Shqipërinë dhe rajonin tonë të ndërtohet një axhendë gjithëpërfshirëse dhe me afate inkurajuese në BE. Në vigjilje të shpalljes së strategjisë së re të zgjerimit kërkoj ndaj partnerëve tanë europianë, Komisionit, vendeve anëtare, parlamentit, për ta konsideruar me peshën e merituar politiko-strategjike vendimin për kalendarin e ri të zgjerimit të BE drejt rajonit tonë”, tha Presidenti.

Por thirrja kryesore, tha Meta, shkon për klasën politike në Shqipëri. Ai tha se konfliktet dhe fryma përjashtuese mes palëve duket ti lërë vendin bashkëpunimit dhe dialogut.

“Thirrja e parë u shkon të gjithë aktorëve vendas, në veçanti mazhorancës dhe opozitës për të  përmbushur me përgjegjësi maksimale të gjitha detyrimet tona. Çelja e negociatave gjatë presidencës bullgare na kërkon shumëfishimin e përpjekjeve të përbashkëta për të garantuar sigurinë në rrugën e përbashkët europiane të vendit”, tha Meta.

Ndaj konfliktet dhe fryma përjashtuese duhet ti lënë vendin bashkëpunimit dhe dialogut politik për të arritur rezultate sa më të prekshme dhe të besueshme për reformat e kërkuara dhe sidomos në 5 prioritetet kyçe duke nisur me reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, respektimin e të drejtës së pronës, reforma në administratën publike dhe respektimin e të drejtave të njeriut.