Kryesore Meta: Çfarë i thashë Lulzim Bashës pas prishjes së marrëveshjes së 5...

Meta: Çfarë i thashë Lulzim Bashës pas prishjes së marrëveshjes së 5 Qershorit

Ish-Presidenti Ilir Meta, në konferencën e parë për shtyp të Partisë së Lirisë, ka rikujtuar për gazetarët se çfarë i ka thënë ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha, pas prishjes së marrëveshjes së 5 Qershorit.

Meta akuzoi Bashën dhe Ramën se kanë qenë dakord për djegien e mandateve dhe bojkotin e zgjedhjeve vendore. Madje sipas Metës, patronazhistët ishin të përqendruar tek elektorati i LSI-së në mënyrë që të dilte me rritje Lulzim Basha.

“Nuk ka pasur asnjë problem kalkulimi të gabuar nga lidershipit të PD në atë kohë. Kalkulimet kanë qenë krejt të gabuara për shkak të një besimi të tepruar të ish-lidershipit të LSI që i kishte dhënë besën ish-lidershipit të PD. Kalkulimi i tyre ka qenë kriminal, që me djegien e mandateve, që me mos hyrjen në zgjedhjet vendore. Ka qenë një biznes i rëndë dakord prej kohësh me zotin Rama dhe ka qenë në kurriz të LSI dhe pluralizmit demokratik në vend. Ashtu sikurse dhe angazhimi i Bashës, unë i kam paralajmëruar ata që sot janë në krye të PD për shpalljen “non grata” të Sali Berishës, është i hershëm. Të paktën paralajmërimi im ka qenë që në Shkurt para zgjedhjeve. Ajo që ka ndodhur ka qenë një bashkëpunim i të dyve që gjoja ky digjte palmën këtu, ai bënte mitingje në Berat që pikërisht të shkonin tek ai rezultat i kalkuluar në mënyrë inxhinerike dhe mafioze i zgjedhjeve të 25 Prillit. Edhe prishja e marrëveshjes së 5 Qershorit ka qenë e rakorduar, pavarësisht nga qëndrimet dhe nga zhurmat. Kur Rama ka prishur marrëveshjen e 5 Qershorit e kam thirrur Lulushin dhe i kam thënë, “hajde këtu ti”. “Tani mblidh opozitën i kam thënë se këtu janë prishur rregullat e lojës. Këtu nuk ka më derman kjo punë, do i dalim përballë. Mos ki merak i thashë, se organizimin e bëj unë, dal unë përballë. Ti vetëm do thuash që ky do jetë president. I thashë ti do thuash që ta dinë shqiptarët që nëse ky fiton do të jetë prapë president sepse presidentin parlamenti do ta zgjidhte”. Siç e zgjodhi. Ti, i thashë, “do të jesh kryeministër. Pastaj organizimin merrem vetë”. Sepse Presidenti nuk është se do bëhej me opozitën, por do shpëtonte demokracinë nga grushti i shtetit. Çfarë ishte prishja e marrëveshjes së 5 Qershorit? Grusht shteti. Në dëm të kujt ishte? Nuk ishte vetëm në dëm të LSI që padyshim që ishte, dhe ishte e mirë e planifikuar… Edhe ushtria e patronazhistëve ishte e përqendruar tek elektorati dhe tek njerëzit që kryesisht votojnë LSI në mënyrë që Lulushi të dilte me rritje, duke kapitalizuar atë qëndresë heroike të presidentit për të mbrojtur Kushtetutën, për të mbrojtur edhe PD, edhe pastaj shpallte ky edhe doktorin “non grata” dhe këtu bëhej një teatër, dy njerëz që aktrojnë përditë dhe të tjerët që fryjnë sytë”, u shpreh Meta.