Kryesore Meta: Dhashë prova të mjaftueshme që Prokuroria të fajësojë Dvoranin

Meta: Dhashë prova të mjaftueshme që Prokuroria të fajësojë Dvoranin

Presidenti Ilir Meta qëndroi afërsisht një orë në Prokurorinë e Tiranës ku u mor në pyetje lidhur me kallëzimin penal që ai ka bërë kundër kreut të KED, Ardian Dvorani.

Që në krye të herës ai u pyet nga gazetarët nëse i ka dorëzuar në prokurori “videot përvëluese”, por Meta e shmangu këtë pyetje duke thënë se prokuroria ka prova të mjaftueshme për të provuar fajësinë e Dvoranit.

Ai gjatë prononcimit për mediat tha se kjo është një çështje shumë e rëndësishme që do shërbejë si provë nëse po funksionin reforma në drejtësi. Prokurorët, tha Meta, nuk duhet të punojnë nën presion politik.

Deklarata e Metës:

“Jemi këtu në respekt të pritjes suaj dhe natyrisht nuk mund të largohesha. Me pak fjalë mund t’ju them se iu përgjigja ftesës nga institucioni i prokurorisë pas kallëzimit që kam bërë ndaj shtetasit Ardian Dvorani, për dy vepra penale të përmbushura me dashje prej tij “shpërdorim detyre dhe “përvetësim të titullit shtetëror”. Kemi dhënë deklarata dhe provat që kemi dorëzuar më parë janë të mjaftueshme. Rasti është tmerrësisht flagrant, shpresoj që prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën me profesionalizëm. Mendoj se kjo çështje është provë e madhe për reformën në drejtësi.

Kushtetuta e thotë qartë në nenin 4 pika 2 se “kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Kjo është çështje madhore se bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Që garanton të drejtat kushtetuese që mbron sovranitetin e popullit shqiptar. Në këtë drejtim dua ti siguroj se Presidenti ka zbatuar dispozitiat kushtetuese.

Prova që kemi dorëzuar janë të njohura për publikun dhe janë të mjaftuese që prokuroria të veprojë. Ne nuk bëjmë presione pavarësisht se çështja është e rëndë. Prokuroria ka patur edhe çështje të tjera por kjo është një çështje që askush nuk mund ti shmanget dhe ne jemi të qetë dhe të duruar dhe do bashkëpunojmë ngushtë me prokurorinë. Ne do vazhdojmë me këtë çështje me Qetësi, Durim dhe Argumenta. Do përgatisim edhe spote që do i shpërndajë zëdhënësi im nga sot”.