Kryesore Meta: Do largohem nga Tirana dhe politika pasi t’i rikthej popullit të...

Meta: Do largohem nga Tirana dhe politika pasi t’i rikthej popullit të drejtën për referendum

Presidenti Ilir Meta ka bërë një deklaratë të fortë duke u shprehur se pasi t’i kthejë popullit të drejtën për referendum do të largohet nga politika dhe nga Tirana.

Sipas Metës, Shqipëria duhet të qeveriset nga vetë shqiptarët dhe ata te vendosin për çdo gjë që e çmojnë të rëndësishme.

“Shqipëria të qeveriset nga vetë shqiptarët për çdo gjë që ata e çmojnë të rëndësishme. Nëse populli shqiptar merr vendim unë do e zbatoj. Jo vetëm referendume për çështje madhore, por edhe për çështje lokale. Ligji është bllokuar që populli shqiptar të mos e ushtrojë këtë të drejtë. Populli ka vetëm një detyrë: të mos ikë nga sytë këmbët dhe të kërkoj të zbatohet e drejta për referendum.

Unë e shoh si një mision dhe në momentin që do i rikthej popullit këtë do largohem nga politika dhe nga Tirana, por jo jashtë shtetit. E kam këtë detyrë e kam këtë mision që popullit shqiptar t’a kthejmë këtë”, u shpreh Meta.

Ai theksoi se shqiptarët janë të pashpresë me këtë klasë politike. “Nuk kemi asnjë referendum në 21 vite sepse politika e ka ndaluar. Si president kam vendosur pas gjithë përpjekjeve të mia për të gjetur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës dhe kësaj loje, kam vendosur të zbres në shesh dhe nuk do të iki nga sheshi derisa t’i kthejmë shqiptarëve të drejtën e referendumit që e kanë në Kushtetutë.

Dua t’i them të gjithë shqiptarëve se me këtë klasë politike jeni të pashpresë. Kjo është e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë. E vetmja rrugë është ushtrimi i demokracisë direkte. Në të gjitha sheshet e Shqipërisë do të komunikojmë me popullin. Populli shqiptar të mos mbetet më në mëshirën e partive. Do të fillojë një epokë e re, ajo e partive përfundoi”, tha Meta.