Aktualitet Meta emëron Besnik Muçin gjyqtar të Kushtetueses, Komisioneri Publik: Nuk justifikon pasurinë

Meta emëron Besnik Muçin gjyqtar të Kushtetueses, Komisioneri Publik: Nuk justifikon pasurinë

Presidenti Ilir Meta ka emëruar sot Besnik Muçin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese

Sipas Presidencës, Muçi “ka përvojë të konsoliduar në hetimin e krimit të organizuar dhe organizatave kriminale, fakt ky që përbën një vlerë të shtuar për trupën gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”, si dhe “gëzon integritet të lartë moral, etik dhe cilësi të larta profesionale, të cilat janë kërkesa të domosdoshme dhe në koherencë me besimin që kërkon publiku për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese”.

Besnik Muçi është njëherësh kandidat për SPAK, por nuk ka kaluar ende shkallën e dytë të vetting-ut. Pasi kaloi shkallën e parë, Komisioneri Publik ankimoi vendimin me argumentin se nuk justifikon pasurinë.

Ndërkohë, sot po zhvillohet seanca e radhës në KPA, ku jepen konkluzionet, para seancës për vendim final.

Një nga pikat më të nxehta ka qenë një blerje automjeti nga Muçi, pronari i mëparshëm i të cilit rezulton i proceduar disa herë nga Prokuroria, për drejtim në gjendje të dehur dhe kundërshtim të punonjësit të policisë.

Gjatë seancës, Komisioneri Publik ka cilësuar se “edhe pse personat në fjalë nuk mund të cilësohet si persona të përfshirë në krimin e organizuar e për rrjedhojë, të ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejt në vlerësimin e kriterit të figurës” të Muçit, ngjarja mund të “shërbejë si rrethanë dhe argument se subjekti i rivlerësimit mund të vihet lehtësisht nën presionin e strukturave kriminale në referim”.

Ndërkohë, vetë Muçi ka kundërshtuar duke thënë se “lidhja ime me ta ka qenë vetëm kontraktuale dhe asgjë më tepër”.