Politika Meta: Emigracioni, kambanë alarmi për vendin

Meta: Emigracioni, kambanë alarmi për vendin

Presidenti i Republikës Ilir Meta, i pranishëm në takimin e organizuar në Tiranë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Migracionit, deklaroi se emigracioni në vendin tonë është një kambanë alarmi që meriton vëmendje maksimale.

Sipas Metës, Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe investime në sektorë prioritarë, si arsimi dhe shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar.

“Të dhënat e ‘Gallup’, të publikuara javën e kaluar, ku Shqipëria renditej në vendin e katërt në botë me prirjen më të lartë për emigrim, padyshim janë shumë shqetësuese. Kjo është një kambanë alarmi që meriton vëmendje maksimale dhe analizë të thelluar mbi shkaqet dhe motivet që i shtynë bashkëqytetarët tanë drejt kësaj vendimmarrjeje të dhimbshme e dëshpëruese.

Ky fenomen, përveç se mplak Shqipërinë dhe shoqërinë tonë, varfëron burimet më të mira profesionale dhe intelektuale duke dekurajuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe më të shpejtë të vendit. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar vërejti me shqetësim se Shqipëria ka nevojë për rritje më të lartë ekonomike dhe investime në sektorë prioritarë, si arsimi dhe shëndetësia për të zbutur prirjen e popullsisë për të emigruar.

Ndaj le të punojmë të gjithë së bashku për t’u dhënë më shumë besim, sidomos të rinjve, duke u krijuar atyre kushte dhe mundësi më të mira për arsimim dhe punësim, që të shprehin potencialet e tyre të vërteta në vend, por edhe potencialet e të gjithë vendit për një zhvillim më të mirë e më të qëndrueshëm”, deklaroi Meta.