Kryesore Meta flet për takimin me Soros dhe kërkon reagim: Ndërkombëtarëve nuk u...

Meta flet për takimin me Soros dhe kërkon reagim: Ndërkombëtarëve nuk u bëhet vonë

Ilir Meta thotë se ka mbetur i vetëm në oponencën e tij me qeverinë pas daljes së opozitës politike nga Kuvendi.

Presidenti Meta deklaroi në “360 Gradë” në RTV Ora që nuk duhet të presin vetëm prej tij zgjidhjen e çdo problemi.

Meta kërkon një reagim më të madh qytetar, duke u tërhequr vëmendjen që mos të varin gjithmonë shpresat te ndërkombëtarët, pasi sipas Metës, këtyre të fundit s’iu bëhet vonë.

“Gjykata Kushtetuese është asgjësuar qëllimisht për të rritur pushtetet në mënyrë të pakufishme dhe antikushtetuese të qeverisë dhe në mënyrë të veçantë të kryeministrit. Vendi është pa Gjykatë të Lartë. Pritet diçka dhe nga qytetarët, pritet diçka nga të gjithë për të kuptuar që ky është vendi i të gjithëve. Të mos presin vetëm nga Presidenti. Presidenti po e bën punën e tij.

Të mos presin thjesht nga ndërkombëtarët se ndërkombëtarëve nuk u bëhet shumë vonë. Pranojnë çdo gjë që pranojnë shqiptarët. Të tregojmë të gjithë që jemi një popull i cili ka kërkesa, kërkon llogari, kërkon përgjegjësi, të gjithë bashkë. Mos prisni çdo gjë nga Presidenti, Presidenti i ka bërë dhe i bën. Nuk e dëgjoni me vëmendje presidentin, mendoni që u nxeh.

Jo, Presidenti edhe kur e ngre zërin, e bën për të treguar që këtu ka një problem serioz. Presidenti çon letër në 29 korrik dhe thotë kini kujdes se 1,2, 4,5 arsye më krijojnë shqetësimin se mund të goditemi nga një tërmet shumë i fortë prandaj të marrim masa. Për gjysmë ore letra del në media dhe thonë u çmend presidenti. Dakord.

Presidenti me këta po punon, kjo është përgjegjshmëria e presidentit, kjo është përgjegjshmëria dhe niveli i bashkëpunimit të tyre. Presidenti i thotë 2 muaj rresht respektoni radhën për Gjykatën Kushtetuese. Ky është fundi për një shtet demokratik. Presidenti po bën të gjitha ato që mund të bëjë por edhe të gjithë ju e keni lënë pak vetëm Presidentin”, tha Meta.

“Dritëhijet” e takimit me Sorosin

Takimi në presidencë me Alexandër Soros, djalin e George Soros në të njëjtën ditë që në Tiranë zhvillohej takimi i tretë i minishengenit ballkanik, Ilir Meta thotë se ka qenë thjesht rastësi. Në studion e “360 Gradë” në RTV Ora, Meta tha se takimi nuk ka pasur asnjë lidhje me minishengenin. Sipas tij, takimi ka qenë zyrtar, i kërkuar nga Soros, dhe fokusi kryesor ka qenë kapja e sistemit të drejtësisë dhe Gjykata Kushtetuese.

“E dramatizuat mjaft këtë takim. Po e relaksoj pak. Që Ilir Meta të dorëzohet kjo është pak si me hile, por që Ilir Meta të ketë frikë të takojë dikë dhe t’ia thotë publikisht atë që mendon pasi ja ka thënë publikisht e ka për detyrë apo jo?

Aq më tepër kur dikush e kërkon një takim me insistim dhe aq më tepër kur unë kam thënë edhe kur kam bërë akuzat në lidhje me kapjen e sistemit në korrik që është i mirëpritur në Shqipëri për çdo gjë, por jo për këto gjëra.

Nëse ti ndikon për kapjen e shtetit, të kundërtën e asaj që predikon, këtu ka përplasje. I kam shprehur mendimet e mia për kapjen e drejtësisë, i kam sqaruar edhe situatën më të fundit për Gjykatën Kushtetuese, për çështjet e tjera që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe mediat dhe së treti për shoqërinë civile.

U diskutua dhe për situatën e tërmetit, e ngriti zotëria. Nuk ka pasur asnjë diskutim për minishengenin. Ka qenë takim i kërkuar, edhe në gusht por s’kam qenë këtu. Ka qenë takim zyrtar” – tha Meta.