Kryesore Meta: Gati të sakrifikohem për të mos lejuar instalimin e një junte...

Meta: Gati të sakrifikohem për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake

Presidenti Ilir Meta ka bërë sot një deklaratë të fortë duke paralajmëruar se është gati të lërë mandatin e tij si President për zgjidhjen e krizës në vend.

Meta tha se është gati të sakrifikohet si Salvador Allende për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake.

“Si president kam bëre çdo përpjekje për të parandaluar krizën. Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Allende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake”, deklaroi Meta nga Pogradeci ku ka qenë në mbështetje të fushatës kombëtare të dhurimit të gjakut.

“Më duhet të theksoj se kriza kushtetuese dhe institucionale nuk është e re dhe arsyet dhe argumentet i kam dhënë dhe më parë. Jo vetëm prej kohësh nuk kemi gjykatë Kushtetuese dhe i gjithë sistemi gjyqësor është i paralizuar por dhe janë minuar përpjekjet dhe iniciativat, interesimi i veçantë i presidentit për të parandaluar krijimin e kësaj krize nga aktorë të caktuar. Pra kemi një krizë që në vlerësimin tim është e qëllimshme dhe ka rrezikuar seriozisht rendin kushtetues në Republikën e Shqipërisë po kështu dhe të drejtat e qytetarëve dhe grupeve të caktuara të interesit”, tha presidenti.

Djegia e mandateve e papranueshme

Meta e quajti dhe veprim të papranueshëm dorëzimin e mandateve nga opozita

Ilir Meta:Tani kriza është thelluar më tej pas një veprimi të paprecedentë të opozitës shqiptare i cili është një veprim i papranueshëm dhe i dënueshëm nga ana ime që ka thelluar seriozisht krizën e përfaqësimit të kuvendit të Shqipërisë si institucioni kryesor përfaqësues i Republikës së Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë.

Në vlerësimin tim, sot Kuvendi i Shqipërisë, ka 82 deputetë të ligjshëm, ku përfshihen edhe ata 3 deputetë të opozitës që nuk pranuan të djegin mandatet sipas vendimit politik të partive përkatëse. Çdo numër tjetër përtej këtij, jo vetëm thellon krizën e përfaqësimit por dhe është i kontestueshëm, në të gjitha planet: Si në atë ligjor, politik, moral e kushtetues.

Sot në Shqipëri, mund të gjenden të paktën mbi 1 milion shqiptarë pro-europianë, që kanë moshën dhe mund të plotësojnë formularin e dekriminalizimit, të cilët “mund të ndihmojnë” në miratimin e ligjeve, apo reformave të ndryshme.

Por, kriza e thellë e përfaqësimit nuk mund të zgjidhet, as me dhunë, as me metoda policore, dhe as me mjete financiare, por vetëm me dialog politik, për të rivendosur legjitimitetin e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë”.

Po minohet çelja e negociatave

Kreu i shtetit nënvizoi gjithashtu se plotësimi i parlamentit me deputetët e tjerë vetëm sa fsheh krizën dhe minon çeljen e negociatave

Ilir Meta: “Në vendin tonë, mund të thërriten dhe 1 milionë qytetarë që kanë mbushur moshën për të qenë deputetë dhe nuk kanë frikë të plotësojnë formularin e dekriminalizimit për të votuar në parlament ligjet në emër të reformave e integrimit europian por kjo duhet të sigurojë të gjithë që as nuk e fsheh këtë krizë të thellë përfaqësimi dhe as nuk e garanton por përkundrazi minon çeljen e negociatave me BE. Nuk  mund të ketë zgjidhje të kësaj krize as në mënyrë ultimative apo përmes retorikave që nxisin veprimet e dhunshme dhe as me metodat policore apo financiare por vetëm me një dialog politik të shpejtë, serioz dhe të përgjegjshëm që garanton rivendosjen e jetës politike në normalitet duke respektuar kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve dhe të gjithë angazhimeve që Shqipëria duhet ti plotësojë urgjentisht për të marrë mesazhe pozitive për çeljen e negociatave.”