Politika Meta i “zhgënjyer”: Tani do të kaloj më pak kohë me Tiranën...

Meta i “zhgënjyer”: Tani do të kaloj më pak kohë me Tiranën politike

Presidenti Ilir Meta u shpreh këtë të premte se përpjekjet e tij për të pasur një konsensus mes palëve për të mirën integrimit të vendit u minuan. Ai tha se tashmë do t’i përkushtohet Shqipërisë së qytetarëve dhe jo Tiranës politike.

“Përpjekjet e mia që ky moment ta gjente vendin më të përgatitur u minua. Secili aktor të marrë përgjegjësitë e veta. Unë do të kaloj më pak kohë me Tiranën politike dhe do t’i përkushtohem më shumë Shqipërisë së qytetarëve”.

Sa i përket Reformës Zgjedhore ai u shpreh se do t’i firmosë menjëherë ndryshimet që do të dalin nga Këshilli Politik.

“Jam i kënaqur që ndjek nëpër media që ka përparime. Mezi pres që palët të mbajë fjalën e dhenë 31 Maj të përmbyllen në konsensus në këtë tryezë të gjitha ndryshimet që kërkojnë ngaqë këmbëngulën nga BE në radhë të parë dhe SHBA. Sapo të vijnë ndryshimet do t’i firmos menjëherë që të japim disa lajme të mira. Edhe pse do jetë i pamjaftueshëm sepse rezultati do të verifikohet nga zgjedhjet në terren”, tha Meta.

Pyetjes së gazetarëve se kur do t’i bëjë publike provat pas akuzave që bëri se Rama i shërben një lobi pro serb në Uashington, Meta nuk iu përgjigj drejtpërdrejtë.

“Gjërat janë tepër të qarta. Presidenti i Republikës ushtron me përgjegjësi detyrat e tij, në të gjitha aspektet e tyre. do të jetë këtu çdo javë për t’ju njohur me veprimtarinë e tij, për çështje që opinioni meriton të dijë vlerësimin e Presidentit të Republikës. Kjo do të ndodhë në mënyrën më koherente dhe më të qarë e transparente”.