Politika Meta: Ka ardhur koha që të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë

Meta: Ka ardhur koha që të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë

Në një ceremoni të organizuar për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Presidenti Ilir Meta përsëriti edhe një herë qëndrimin e tij kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në Ballkan, çdo popull dhe çdo komb është shumicë në një shtet dhe është pakicë në një shtet tjetër. Dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve, por respektimi i standardeve europiane të çdo pakice në çdo vend”, tha Meta. “Kosova e pavarur tregoi që është faktor stabiliteti. Nuk ka për të pasur asnjëherë zgjidhje të qëndrueshme duke menduar një zgjidhje me më pak shqiptarë në Serbi dhe më pak serbë në Kosovë. E vetmja zgjidhje është bashkëjetesa dhe respektimi i standardeve europiane për pakicat”.

Në Ballkan, shtoi Presidenti, nuk ka popull të keq dhe popull të mirë, por ka politikë të mençur e vizionare dhe politikë vrastare dhe shkatërruese. “Pavarësisht nga historia dhe paragjykimeve, unë kam pasur fatin të njoh një udhëheqës të madh të Serbisë, një demokrat, pro europian dhe vizionar, Zoran Gjingjiç, pavarësisht se nuk jeton më. Jam i bindur se ëndrra e qytetarëve të Serbisë për një vend europian është ende gjallë. Dhe asnjëherë nuk duhet të udhëhiqemi nga paragjykimet në raportet me Serbinë për të ardhmen”, u shpreh ai.

Gjingjiç u vra më 12 mars të vitit 2003 nga një snajperist pranë ndërtesës së Qeverisë në qendër të Beogradit.

Meta tha gjithashtu se ashtu siç u zgjidh problemi mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, është koha të zgjidhet problemi mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe mbështeti deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, kur tha se në zemër të marrëveshjes duhet të jetë “njohja e ndërsjellë mes dy vendeve”.