Kryesore Meta: Kriza të zgjidhet larg pazareve, qoftë edhe të ndërkombëtarëve

Meta: Kriza të zgjidhet larg pazareve, qoftë edhe të ndërkombëtarëve

Presidenti Ilir Meta thotë se kriza politike në vend është thelluar, ndërsa u ka bërë apel palëve që të mos fshihen pas ndërkombëtarëve.

Duke folur për gazetarët në përfundim të një aktiviteti në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, kreu i shtetit bëri thirrje që çështjet duhet të zgjidhen me dialog dhe jo me pazare.

“Ka nevojë për një reflektim, është për të ardhur keq që palët politike kanë nxituar duke thelluar krizën. Klasa politike shqiptare duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe nuk duhet të fshihet pas asnjë ndërkombëtari siç ka ndodhur deri tani dhe çështjet duhet të zgjidhen me dialog larg pazareve, qoftë edhe të ndërkombëtarëve”.

I pyetur për raportin e SHISH për rritjen e influencës ruse në Shqipëri, Presidenti tha se kjo nuk duhet të përdoret si shkak për krizën politike në vend, që sipas Metës, është krijuar nga vetë politika shqiptare.

“Ne jemi të ndërgjegjshëm për ndikimet e Rusisë në rajonin tonë. Ne do donim që Rusia të respektojë zgjedhjen e gjithë popullit të rajonit për t’u integruar në NATO, por nuk duhet ta katandisim rrezikun rus si rrezikun anglo-amerikan të periudhës së kaluar për të fshehur krizën politike e cila është krijuara nga ne”, përfundoi Meta.