Politika Meta kryen testin e koronavirusit: Beteja do të jetë e gjatë

Meta kryen testin e koronavirusit: Beteja do të jetë e gjatë

Presidenti Ilir Meta në një intervistë për News24 ka treguar arsyen pse bëri testin e koronavirusit, ndërsa ka dalë negativ.

Ai tha se ishte në një palestër dhe u informua se një qytetar aty kishte rezultuar pozitiv. Meta sqaron se ai e njihte qytetarin në fjalë, por nuk ia kishte dhënë dorën.

”Unë bëra testin pasi mora informacion se kisha qenë në një palestër ku kishte rezultuar një qytetar që unë e njihja, por nuk ja kisha dorën. U informova se kishte rezultuar pozitiv.”- tha Meta.

Më tej, Meta tha se parësore është jeta e qytetarëve shqiptar dhe shëndeti i tyre, si dhe siguria e personelit mjekësor, që qëndrojnë çdo ditë në vijën e parë të rrezikut.

Pjesë nga intervista:

Si i keni parë masat e qeverisë?

Është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë, por e përgjithshme globale. Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë. Duhet të nxjerrim eksperiencat e reja për ta përballuar me kosto sa më të vogël, në radhë të parë për shëndetin e qytetarëve, jeta e të cilëve mund të rrezikohet vetëm nga pakujdesia jonë. Është një situatë e detyrueshme, me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë. Në radhë të parë, mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, dhe të gjithë ata që janë në mbështetje të tyre dhe që janë në kontakt të parë, që përbëjnë murin mbrojtës ndaj këtij virusi. Vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, se kuptohet që kjo do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar.

Së dyti, kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata që janë të identifikuar, që janë prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve, personelit mjekësor. Impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, atë shoqëror, pasi kuptohet jemi në një moment vetëmbrojtje, kujdesi duhet të jetë maksimal. Por, çdo moment duhet të përmirësojmë gjithë mekanizmin mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë si shtet, si shoqëri, si familje, por edhe si biznese, pa cënuar kurrë objektivin e parë, të mbrojmë jetën e çdo qytetari nga ky virusi.

Ju keni ngritur një Task Forcë me ekspertë që merren me këtë çështje. A keni komunikim me qeverinë apo faktorë të tjerë politikë?

Shqetësimin për këtë çështje e kam bërë publik që në janar, kur u identifikuan dy shtetas italianë. Kuptohej që do vinte në rritje shqetësimi, pasi jetojmë në një botë ku edhe rreziqet marrin përmasa gjithëpërfshirëse. Në vazhdimësi kam qenë në komunikim me të gjitha institucionet shtetërore për marrjen e masave në parandalimin e këtij fenomeni. Jemi në këto komunikime në mënyrë të vazhdueshme, pasi është prioritare që kjo situatë të normalizohet sa më shpejt të jetë e mundur. Duhet t’iu bëjmë ballë të gjitha skenarëve që mund të sjellë kjo situatë, por edhe skenarëve sa i takon ekonomisë.

Kemi të bëjmë me një avantazh po të kemi parasysh se është një situatë ku çdo vend mobilizon resurset e tij për të mbrojtur veten e tij. Eksperiencat e vendeve të tjera, Kinës, Italisë, duhet të na shërbejnë edhe neve për të ardhmen dhe të na ndihmojnë për të adaptuar masa të reja parandaluese dhe përmirësuese të gjithë mekanizmit të shtetit dhe shoqërisë. Sa i takon Task Forcës mund të ketë pasur një keqkuptim, ajo është në funksion të presidentit, nuk dublon Task Forcën e ministrisë së Shëndetësisë. Është një Task Forcë që ndihmon për të monitoruar të gjitha zhvillimet, për të komunikuar me të gjitha shqetësimet që vijnë, me qëllim përmirësimin e gjithë menaxhimit shtetëror të menaxhimit të kësaj situate.

A janë marrë masat në kohën e duhur dhe a i kemi kapacitetet për ta përballuar këtë situatë?

Edhe OBSH nuk ka pasur një visin të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, që me pak vonesë e konsideroi si pandemi. Kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë. Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, reflektues, sepse është një eksperiencë e re që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar. Shqipëria ka pasur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në përballimin e SARS-it, gripit të derrit. Ajo që duhet të theksoj është mbrojtja e personelit shëndetësor, pasi ata janë të rrezikuar në çdo sekondë.