Ekonomi Meta kthen ligjin e koncesionit të Rinasit: U nënshkrua fshehurazi në Kamëz

Meta kthen ligjin e koncesionit të Rinasit: U nënshkrua fshehurazi në Kamëz

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin që zgjat afatin e koncensionit të aeroportit “Nënë Tereza”.

Në një komunikim me mediat, kreu i Shtetit tha se ky ligj i ri është antikushtetues, shkel interesin e publikut dhe është mbajtur i fshehtë nga sytë e qytetarëve.

“Kuvendi ka ratifikuar ndryshimin e marrëveshjes se koncesionit mes Këshillit të Ministrave dhe shoqërisë koncesionare “Tirana International Airport” për ndërtimin, vënien në punë të aeroportit “Nënë Tereza”. Ky ligj ka nivelin më të lartë të antikushtetueshmërisë por dhe të korrupsionit. Korrupsioni legjislativ është kthyer në mjet të mbulimi të përfitimeve klienteliste, ku për çdo përfitim të dhuruar miratojnë një ligj për ta miratuar.

Vendimmarrja e ndjekur nga Ministria e Financave, Infrastrukturës, Qeveria dhe Kuvendi për shtesën arbitrare të koncesionit është kryer në kundërshtim të rregullave të shtetit shqiptar dhe në dëm të interesit të qytetarëve. Kjo kontratë është mbajtur e fshehtë ndaj publikut. Akoma në faqen e Kuvendit nuk është publikuar kjo shtesë kontrate”, u shpreh presidenti.

Presidenti Meta bëri deklarata të forta kur tha se marrëveshja për zgjatjen e kontratës koncesionare është nënshkruar tek një notere në Kamëz.

“Dy qeveritarë zgjedhin ta hartojnë marrëveshjen në Bashkinë Kamëz. Një ministër dhe një zv/ministër nuk kanë përtuar të shkojnë deri në Bashkinë Kamëz. Marrëveshja është nënshkruar më 26 Janar. Kur e keni zhvilluar marrëveshjen koncesionare? Kur e keni konsultuar këtë draft me Ministritë e linjës? Kur shkuat dhe e nënshkruat në Kamëz? Kur e përgatitët dosjen për ta përcjellë në Këshillin e Ministrave për shqyrtim? Pse dy standarde?”, akuzoi Meta.