Kryesore Meta kthen ligjin për të huajt: Shqipëria rrezikon të përballet me fluks...

Meta kthen ligjin për të huajt: Shqipëria rrezikon të përballet me fluks nga vendet e treta

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për të huajt”. Në arsyetimin e tij kreu i shtetit thekson ndër të tjera se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave për pranim nga vendet e treta, ndërkohë që qeveria duhet të ringjallë shpresën te qytetarët e vet. Sipas Metës kjo çështje kërkon diskutim të gjerë dhe gjithëpërfshirës, përndryshe ka pasoja të rënda.

“Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta. Fluksi i shtetasve nga vendet e treta, përtej mundësive dhe kapaciteteve që Shqipëria ka, mund të ofrojë dhe mund të përballojë”.

Meta thekson se Shqipëria nuk po përmbush kushtet për qytetarët e saj duke çuar në largimin masiv të shqiptarëve. Sipas tij, shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit.

“Nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqenie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet të ofrojë mundësi për të huajt në një masë të gjerë? Masa pranimi kaq gjerësisht të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politikë të tillë shtetërore. Qeveria po përmbush vetëm një qëllim parësor dhe afatshkurtër, plotësimin e boshllëqeve që po krijon largimi masiv i shtetasve shqiptarë me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore. Shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit. Largimi i trurit, i forcave të reja dhe më krijuese, është një plagë e madhe për vendin, që duhet ndalur sa më parë. Mbyllja e perspektivës për të rinjtë është rrënja e shpopullimit të Shqipërisë”.

Kreu i shtetit kërkon adresimin e menjëhershëm të këtij fenomeni, pasi çdo neglizhencë do të çojë në pasoja katastrofike.

“Adresimi i menjëhershëm i këtij fenomeni është emergjencë dhe çdo neglizhencë e mëtejshme do të kishte pasoja katastrofike. Shpopullimi, shqiptarët kanë humbur besimin se kushtet dhe cilësia e jetesës së tyre në vend, mund të përmirësohen, dhe për këtë shkak ata largohen masivisht. Shumica qeverisëse nuk ka një strategji shtetërore se si do të duhet t`i përgjigjet  me masa konkrete, afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata këtij fenomeni të rrezikshëm. Kryeministri ka konfirmuar se qeveria shqiptare nuk është e shqetësuar lidhur me këtë gjendje”.