Politika Meta kthen ligjin për vettingun e policëve: Favorizon drejtuesit

Meta kthen ligjin për vettingun e policëve: Favorizon drejtuesit

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, të ndryshuar.

Sipas tij, kjo nismë e qeverisë bëhet e dëmshme dhe e rrezikshme për garantimin e paanësisë së forcave policore në një kohë ku vendi pritet t’i nënshtrohet zgjedhjeve të përgjithshme.

“Veçanërisht kur vendi pritet t’iu nënshtrohet edhe zgjedhjeve të përgjithshme, forcimi i këtij presioni përmes vlerësimit kalimtar (vetting-ut), bëhet akoma më i dëmshëm dhe i rrezikshëm për garantimin e paanësisë së forcave policore e për pasojë, tepër shqetësues. Kjo pasiguri e personelit policor është e pritshme dhe ka gjithë premisat që të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë procesit zgjedhor”.

Sipas Presidentit, ky ligj i miratuar më 18 Qershor përmbante një gabim që në titull, i cili nuk reflekton vetëm një ndryshim dhe vetëm një shtesë që bëhet përmes tij në ligjin bazë nr 12/2018, por titullohet si ligj i ri. Meta shkruan se ky ligj synon heqjen e afatit të përfundimit të procesit të vlerësimit kalimtar (vettingut) për drejtuesit e lartë të forcave policore dhe për Shërbimin për Çështje e Brendshme dhe Ankesat.

“Ky shfuqizim i afatit, pa përcaktuar një afat të ri brenda të cilit duhet të përmbyllet vlerësimi kalimtar për kategorinë e drejtuesve të lartë në Policinë e Shtetit, në Gardën e Republikës dhe të punonjësve në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, përveçse nuk është në përputhje me qëllimin e vetë ligjit që u miratua si nevojë e një reforme prioritare në Policinë e Shtetit, ngjan më shumë me një “favor” që u bëhet këtyre drejtuesve, për të mos kaluar procesin e vetting-ut në këto momente, duke i kthyer ata automatikisht, të varur nga ky vullnet politik sot, dhe në shërbim të presionit politik nesër. Me ndryshimet ligjore që u bënë në vitin 2019 dhe ndryshimet që tentohen të realizohen me ligjin nr. 74/2020 të kthyer për rishqyrtim, jo vetëm që shtyhet procesi i rivlerësimit të trupës drejtuese, por edhe vetting-u i efektivëve të policisë tashmë i lihet në dorë një pjesë të vogël personash brenda Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që ka kaluar vetting-un”, thuhet në njoftimin e Metës, i cili shton se kjo rrit edhe më shumë kontrollin politik të Ministrit të Brendshëm mbi këtë proces.