Politika Meta ktheu ligjin e “floririt” në Kuvend, Rama e ironizon

Meta ktheu ligjin e “floririt” në Kuvend, Rama e ironizon

Pas akuzave të opozitës se kryeministri Rama po vjedh arin e Shqipërisë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ktheu për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e bëra në ligjin për rezervat materiale të shtetit, i cili u miratua më 20 qershor në Parlament.

Ndryshimi i bërë në këtë ligj, sipas qeverisë synon të thjeshtojë procesin e lëvrimit të mallrave rezervë të shtetit që bëjnë pjesë në grupin A, ku futen prodhimet e arit, argjendit, apo platinit, duke ja hequr këtë të drejtë vendimit të Këshillit të Ministrave siç parashikon aktualisht ligji në fuqi dhe duke ja kaluar Kryeministrit.

Por për Presidentin kjo është e pajustifikuar ligjërisht.

Menjëherë pas njoftimit të publikuar nga Presidenca për të rikthyer në Kuvend për rishqyrtim ndryshimin në ligjin për Rezervat Materiale të Shtetit ka reaguar në rrjetet sociale dhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë publikoi një thënie të ish-presidentit amerikan, Richard Nixon ku shkruhet “Njeriu i mendimit që nuk vepron është inefektiv; njeriu i veprimit që nuk mendon është i rrezikshëm”.