Kryesore Meta: Masat e qeverisë nuk ishin të ekzagjeruara

Meta: Masat e qeverisë nuk ishin të ekzagjeruara

Sipas Presidenti Ilir Meta, masat e forta të marra nga qeveria për situatën ndaj koronavirusit nuk kanë qenë të ekzagjeruara.

Gjatë emisionit “Opinion” këtë të mërkurë, kreu i shtetit renditi si një arsye të fortë për të marrë ato rregulla afërsinë me Italinë.

“Nuk mendoj se ka qenë e ekzagjeruar për arsye sepse ne jemi fqinj të Italisë dhe vendi që kemi marrëdhëniet më të ngushta në planin njerëzor, në kuptimin e fluturimeve, transportit. Mos harrojmë që Italia ishte një nga viktimat kryesore të kësaj pandemie dhe ne e kemi përjetuar këtë shumë. Mjafton të kuptojmë ndërprerjen e linjave të transportit për të kuptuar që këto kufizime kanë qenë domosdoshmëri për kohën ku janë marrë”, tha Meta.

Sa i përket lehtësimit të masat Meta tha se “tashmë është momenti për të parë se si do të dalim hap pas hapi drejt normalitetit pa cënuar masat e sigurisë të menaxhimit të pandemisë”.

Për shtyrjen e gjendjes së emergjencës Meta tha se mund të ishte bërë me një afat 30-ditor, megjithatë pret që të njihet me argumentet e qeverisë për të dhënë një qëndrim zyrtar.

Paqe me Ramën? Meta: Kjo pandemi nuk bën dallime

Koronavirusi duket se ka ulur tonet e ashpra mes Presidencës dhe mazhorancës. Kreu i Shtetit, Ilir Meta tha se ka nevojë për të dhënë mesazhe bashkëpunimi kudo sepse “kjo pandemi nuk bën dallime”.

Meta u shpreh se vërejtjet për situatën i ka shprehur si në mënyrë publike ashtu edhe institucionale, ndërsa shtoi se vendosja e theksit tek mangësitë në këtë situatë, sipas tij, nuk është rruga më e mirë për të adresuar problemet.

“Nuk do të doja të flisja për dashuri në kohë të vështira. Bëhet fjalë për një ushtrim të përgjegjshëm të përgjegjësive të mia si President. Vërejtjet që kamë pasur për këtë situatë i kam bërë në masën e duhur publike, por edhe jo publike. Nëse dikush mendon se në këtë situatë duhet të vë theksin tek mangësitë, nuk e mendoj se kjo është rruga më e mirë për të ndihmuar në adresimin e problemeve dhe mendoj që ka nevojë për të dhënë mesazhe bashkëpunimi kudo sepse kjo pandemi e kemi parë që nuk bën dallime“, tha Meta.