Kryesore Meta mbyll kapitullin e LSI: Që sot do quhet Partia Lirisë

Meta mbyll kapitullin e LSI: Që sot do quhet Partia Lirisë

Lëvizja Socialiste për Integrim, ka ndryshuar emrin e saj si forcë politike. Emri i ri u votua në Konventën Kombëtare të LSI që po mbahet në Pallatin e Kongreseve.

Ka qenë Ilir Meta, i cili ka bërë me dije emrin e ri të kësaj partie e cila nga sot do të quhet Partia e Lirisë.

Ilir Meta tha sot se vendi po shkon drejt falimentimit si Greqia e kjo duhet ndalur në mënyrë të menjëhershme.

Ai tha se nuk mund t’i largohet betejës ndërkohë që vendi ndodhet në një pikë kritike për sa i përket pluralizmit, ekonomisë, demokracisë.

Meta akuzoi Edi Ramën si gjakprishur shqipfolës që është përgjegjës për çdo të keqe që i ka ndodhur vendit.

“Gjendja është tejet kritike dhe ata presin falimentimin e vendit. Është situatë kritike e duhet të reflektojmë që mos përfundojmë si Greqia, në falimentim. S’kem pse falimentojmë pse kleptokratët për inceneratorët nuk kanë frena, nuk kanë respekt as për të vdekurit. Është koha për veprim, për organizim dhe jam këtu sepse nga ‘lufta veç ai largohet që është lindur tradhëtor’. T’i largohesh betejës për liri, demokraci e sovranitet është tradhëti kombëtare për çdo shqiptar për më tepër për një shqiptar si Ilir Meta. Jam këtu për të marrë çdo përgjegjësi ne emër të të gjithë shqiptarëve patriotë, demokratë. As Ilir Metës mos i besoni, besojini vetes suaj. Bëhuni më të përgjegjshëm për veten tuaj, familjet tuaja, për dinjitetin e vendit tonë. Edi Rama është një mercenar, nuk ka asnjë gram gjak shqiptari. Ka beteja për të cilat ia vlen edhe të vdesësh. Sot me besa-besë, me gjithë shqiptarët e ndershëm, me popullin e 2 marsit të shpallim non grata kleptokracinë, rilindjen mavi dhe atë pjesë të rilindjes blu të pazareve të 17 majit.

S’jam këtu për asgjë tjetër veçse për t’u treguar shqipfolësve gjakprishur po edhe gjithë botës se ne jemi një popull me dinjitet, europian,  që padrejtësisht kjo mafie për interesat e saj po edhe mafies ndërkombëtare që e duan Shqipërinë si një vend për pastrimin e parave dhe qendër logjistike për krimin e organizuar, t’u themi që ky është vendi ynë, një vend me të cilin askush nuk mund të luajë, kemi vetëm një rrugë dhe ajo është referendumi. Ai do jetë Shpata e Damokleut, mbi uzurpatorët, oligarkët e pangopur, garancia se sovraniteti s’i përket popullit vetëm në letër dhe se ata që prekin Kushtetutën do e kenë fatin e zi. E krijuam LSI-në për të zhbllokuar procesin e integrimit kundër bllokimit të Fatos Nanos. Prandaj ju ftoj nga Partia e LSI-së në partinë e lirisë, sovranitetit, referendumit. Do matemi shumë shpejt partia e patronazhistëve, Dushan Mugoshës. Rroftë Shqipëria e lirë dhe demokratike.” – tha Meta.