Politika Meta në Egjipt: Shqipëria mirëpret sipërmarrjet egjiptiane

Meta në Egjipt: Shqipëria mirëpret sipërmarrjet egjiptiane

Presidenti Ilir Meta, nisi sot vizitën zyrtare në Egjipt duke u pritur me nderimet e veçanta shtetërore nga Presidenti i Republikës Arabe të Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi.

Pas ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes dhe intepretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë, dhe më pas vijuan me takimin e zgjeruar të dy delegacioneve.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e forta historike e kulturore dhe marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira historike, politike, kulturore dhe njerëzore midis dy vendeve e popujve tanë. “Shqipëria mund të jetë një portë hyrëse në rajonin e Ballkanit për sipërmarrjet egjiptiane”, nënvizoi kreu i shtetit.

Duke iu referuar sfidave dhe interesave të përbashkëta në rajonin e Mesdheut, Presidenti Meta shprehu vullnetin për ta shfrytëzuar këtë vizitë, për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet midis vendeve tona.

Të dy Presidentët ndanë mendimin se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë shumë më të mëdha se rezultatet aktuale dhe kuadri ligjor në fuqi është stimulues në këtë drejtim.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Presidenti El-Sisi shprehën mbështetjen e tyre për një shfrytëzim më të mirë të këtyre mundësive dhe mbledhjen sa më parë të Komisionit të Përbashkët Ndërshtetëror, që do të identifikojë të gjitha fushat e mundshme të bashkëpunimit. Një vëmendje të veçantë të dy bashkëbiseduesit ua kushtuan edhe zhvillimeve në rajonet respektive.

Presidenti Meta dhe Presidenti El-Sisi ndanë mendimin se bashkëpunimi e solidariteti në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është i domosdoshëm për një rajon mesdhetar që zhvillohet në paqe dhe begati.