Kryesore Meta në Mal të Zi: Të avancojmë më tej bashkëpunimin dhe projektet

Meta në Mal të Zi: Të avancojmë më tej bashkëpunimin dhe projektet

Presidenti Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi, u prit nga homologu Milo Gjukanoviç.

Në përfundim të bisedimeve, Presidenti Meta dhe Presidenti Gjukanoviç dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve, si edhe rëndësinë e vijimit të projekteve të përbashkëta si autostrada Adriatiko-Joniane dhe lidhjen e Malit të Zi përmes gazsjellësit të TAP-it.

“Autostrada dhe gazsjellësi janë dy projekte madhore të cila së bashku me ruajtjen, menaxhimin dhe zhvillimin e integruar dhe të qëndrueshëm të Liqenit të Shkodrës dhe zonave rreth tij, të ujërave të tjera të përbashkëta, të Pikave të Kalimit Kufitar, ndërtimi i korridoreve rrugore, që i lidhin ato dhe shumë projekte të tjera ndërkufitare, si në kuadër të bashkëpunimit rajonal, ashtu edhe në kuadër të integrimit europian, do të sjellin një mundësi të shkëlqyer për t’u dhënë zgjidhje pengesave, që ende hasin qytetarët në të dy anët e kufirit, si në jetën e tyre të përditshme, ashtu edhe në planin e shkëmbimeve të natyrshme njerëzore, kulturore, tregtare, ekonomike apo për të zgjidhur edhe problemet mjedisore, që janë aq të rëndësishme për dy vendet tona që kanë një potencial të fuqishëm për zhvillimin e qëndrueshëm e sidomos për zhvillimin e turizmit”, u shpreh Meta.

Më tej në fjalën e tij Presidenti Meta fili për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve për integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në Malin e Zi dhe po kështu me respektimin e të drejtave të pakicës malazeze në vendin tonë.

“Jam i lumtur që gjeta te Presidenti Gjukanoviç mirëkuptim dhe angazhim për një përkujdesje edhe më të madhe ndaj të drejtave të shqiptarëve, për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, traditave dhe identitetit të tyre, për përfaqësimin më përfshirës në nivel qendror dhe lokal, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të zonave ku ata jetojnë, për mbështetjen e një integrimi më të mirë të tyre këtu në Malin e Zi. Ashtu sikurse në Shqipëri ne do të vazhdojmë të kemi një angazhim edhe më të madh për respektin dhe promovimin e të drejtave të pakicës malazeze, e cila është një pakicë shembullore në vendin tonë”, u shpreh Meta.