Politika Meta në OKB: Pasojat e Covid do vazhdojnë gjatë, duhet të reagojmë...

Meta në OKB: Pasojat e Covid do vazhdojnë gjatë, duhet të reagojmë në mënyrë kolektive

Presidenti Ilir Meta ka mbajtur sot fjalën e rastit në debatin e përgjithshëm të sesionit të 75-të të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Këtë vit takimi i OKB-së është mbajtur online për shkak të kushteve të COVID dhe tema e diskutimit ka qenë “E ardhmja që duam, Kombet e Bashkuara që na nevojiten: duke ripohuar angazhimin tonë të përbashkët ndaj multilateralizmit – përballja me COVID-19 përmes veprimit tonë të efektshëm shumëpalësh”.

Meta në fjalën e tij tha se 75-vjetori i Kombeve të Bashkuara shënon një moment historik “dhe duhet të shërbejë si një kohë reflektimi se si të forcojmë OKB-në dhe ta bëjmë atë edhe më të efektshme në përballjen dhe zgjidhjen e sfidave të paprecedenta globale, me të cilat përballen sot shoqëritë tona”.

Më tej ai foli për situatën e COVID dhe tha se pandemia ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike. “Pasojat e saj social-ekonomike me siguri që do të vazhdojnë edhe për shumë vite të tjera, me pasoja të paparashikueshme për paqen dhe sigurinë globale. Kriza aktuale kërcënon të ngadalësojë, madje edhe ta kthejë pas përparimin e shënuar nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, shtoi Meta.

Kreu shtetit u shpreh se Kombet e Bashkuara duhet të jenë në qendër të një multilateralizmi gjithëpërfshirës dhe të efektshëm, ku organizatat ndërkombëtare, institucionet financiare, shoqëria civile, bashkësia e sipërmarrjes dhe grupet e tjera të interesit, të veprojnë përmes lidhjeve më të ngushta institucionale.

“Në këto momente kritike ne duhet t’iu përgjigjemi frikës dhe shpresave të njerëzve, të cilëve iu shërbejmë. Me qëllim që të zbusim kurbën e pandemisë dhe të parandalojmë një krizë ekonomike globale, duhet të reagojmë në mënyrë kolektive në frymën e bashkimit e të solidaritetit”, shtoi Presidenti.

Meta foli dhe për tërmetet që goditën Shqipërinë në vitin 2019 dhe falenderoi të gjithë vendet që ndihmuan në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe ndihmat e mëvonshme. “2019 ishte një vit i vështirë për Shqipërinë, sepse u goditëm nga dy tërmete të fuqishme, që shkaktuan më shumë se 50 të vdekur dhe një miliard dollarë amerikanë dëme. U jemi mirënjohës atyre kombeve mike që na ndihmuan në kohën kur kishim aq shumë nevojë, dhe që na ofruan mbështetje financiare dhe materiale gjatë përpjekjeve tona të vazhdueshme të rindërtimit”, shtoi Meta.

Më tej ai përsëriti edhe njëherë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektivi më i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë. “Në fillim të këtij viti mirëpritëm vendimin politik të Këshillit të BE-së për të çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na duhet të përmbushim standardet e kërkuara para se të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare”, tha kreu i shtetit.

Në fund preku dhe marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë. “Mbetemi shpresëplotë se kjo marrëveshje do të injektojë një dinamizëm të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Shqipëria beson fort se Republika e Kosovës është një eksportuese e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Kosova ka ngritur në këmbë një kornizë të fortë kushtetuese dhe ligjore që siguron mbrojtjen e papërjetuar më parë të të drejtave të pakicave dhe të trashëgimisë së tyre kulturore. Kjo është plotësisht në përputhje, madje edhe e tejkalon kuadrin ligjor përkatës evropian për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut”, përfundoi fjalën e tij Presidenti.