Politika Meta në Varshavë, merr pjesë në ceremoninë e 80-vjetorit të fillimit të...

Meta në Varshavë, merr pjesë në ceremoninë e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore

Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një postim në rrjetet sociale ka reaguar pas pjesëmarrjes në ceremoninë e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, në Varshavë.

Meta shkruan se prezenca e tij ishte me ftesë të Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, ndërsa bën thirrje për mbrojtjen e vlerat e demokracisë dhe lirisë, që na bashkojnë me NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Presidenti thekson se Shqipëria ishte viktima e parë në Europë e kësaj murtaje të njerëzimit, duke kaluar me kurajë sakrifica të jashtëzakonshme, nga fillimi deri në çlirim.

Postimi i plotë:

Shumë i nderuar të merrja sot në Varshavë, në ceremoninë e 80-vjetorit të fillimit të Luftës së Dytë Botërore, me ftesë të Presidentit të Polonisë, z.Andrzej Duda.

Përulje përpara dhjetra milionë viktimave, heronjve e dëshmorëve që humbën jetën në emër të lirisë e dinjitetit njerëzor, pavarësisë e sovranitetit, gjatë tragjedisë më të madhe që ka njohur njerëzimi.

Bashkë me shumë krerë shtetesh, shprehëm solidaritetin për forcimin e paqes dhe ndërtimit të një botë më të mirë, që në themel duhet të ketë lirinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe besimin e ndërsjellë.

Të gjithë së bashku të punojmë për lirinë, paqen dhe dinjitetin njerëzor, që tragjedi të tilla, të mos përsëriten kurrë më.

Të bëjmë çdo përpjekje për të mbrojtur çdo ditë vlerat e demokracisë dhe lirisë, që na bashkojnë me NATO-n dhe Bashkimin Europian.

Shqipëria ishte viktima e parë në Europë e kësaj murtaje të njerëzimit, duke kaluar me kurajë sakrifica të jashtëzakonshme, që nga dita e parë e pushtimit, 7 prillit 1939, deri në ditën e fundit të çlirimit të Europës.

Krenar për kontributin dhe qëndresën heroike të popullit tonë në luftën ndaj nazi-fashizmit.