Politika Meta padit Kuvendin në SPAK: Ka dhunuar Kushtetutën me miratimin e  ligjit...

Meta padit Kuvendin në SPAK: Ka dhunuar Kushtetutën me miratimin e  ligjit për dividentin

Ligji për ndarjen e dividentit ka qenë në fokus të deklaratës së Presidentit Ilir Meta mbrëmjen e së dielës. Meta tha se ky ligj është miratuar në shkelje të Kushtetutës për shkak se shkel barazinë para ligjit duke i dhënë efekte prapavepruese një ligji për taksat dhe tatimet, gjë që e ndalon Kushtetuta.

“Me pasoja të rëndë, për buxhetin dhe financat e shtetit, për sigurinë publike për të favorizuar një grusht oligarkësh që pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Ligji për devidentit, rast flagrant se si Kuvendi ka dhunuar hapur Kushtetutën për të cilën ju premtoj se do të japin llogari. Nuk do të ketë shpëtim për ta.

Kushtetuta ka përcaktuar se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, por është kujdesur të bëjë të qartë se taksat, tatimet dhe detyrimet financiare, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara caktohen me ligj nuk mund t’i jepen fuqi prapavepruese.

Por në datën 3 dhjetor 2018 Rilindja miratoi ligjin për disa ndryshime në ligj për tatimin mbi të ardhurat në dëm të sipërmarrësve të ndershëm. Në këtë nen “mavri-kuvendi” vendosi që nga 18% të ulej në 8% me efekt prapaveprues.

Ky parashikim dhunon nenin e kushtetutës që ndalon efektin prapaveprues, se kjo do të thotë diskriminim para ligjit. Pasojat e këtij krimi janë pabesi, goditje e rëndë pas shpine për bizneset e ndershëm që kanë paguar tatimin prej 15%, ndërsa me ligjin e ri oligarkët që kanë paguar deputetët do të favorizoheshin që të mos paguanin 15%, por 8%.

Kështu përmbyset sistemi fiskal duke majmur më shumë shtresën e vogël dhe më të pasur të shoqërisë dhe duke varfëruar njerëzit e thjeshtë. Për këtë arsye me dekretin e datën 20 dhjetor 2018 vendosa kthimin për rishikim. Ky dekret iu përcoll kuvendit. Çfarë ndodhi? Në të njëjtën ditë ku presidenti i thotë Kuvendit “thërriti mendjes se po bëni një krim financiar”, në të njëjtën ditë kuvendi zhvilloi seancë plenare. Komisioni Ekonomik shqyrtoi në mënyrë mafioze këtë ligj, pa thirrur presidencën për të dhënë sqarime, pa lajmëruar opozitën dhe brenda po të njëjtës ditë, e miratuan në seancë penale.

“Mavri Kuvendi” dhunoi hapur dhe tmerrshëm kushtetutën, duke futur në mënyrë të fshehtë dekretin e presidentit për ta futur në fletoren zyrtare. I kushton qindra mln euro buxhetit. Për këtë arsye iu bëj me dije se për këtë vendim do të paraqes në ditët e ardhme kallëzimin penal në SPAK për të zbardhur këtë skemë dhe vendosjen para drejtësisë autorëve të saj”, tha Meta.